“Njohja e Kosovës, problemi i fundit i pazgjidhur”/ Rama për marrëdhënien Prishtinë-Beograd: Tensionet lindin por… Ja çfarë thotë për influencën ruse e kineze në rajon








edi-rama

Njohja e Kosovës, për kryeministrin Edi Rama është problemi i fundit i pazgjidhur i historisë i shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në një intervistë për televizionin spanjoll RTVE, kreu i qeverisë shqiptare shprehet se tensionet mes Prishtinës dhe Beogradin janë pjesë e njohjes, por sipas tij, e mira është se mes dy vendeve shpeshherë ka dialog, çka e bën konfliktin të tretet.

Pavarësisht se edhe Spanja nuk e njeh Kosovën, Rama thotë se ata nuk kanë problem me çështjen e shqiptarëve, por janë probleme të brendshme politike.

I pyetur nëse Shqipëria është e shqetësuar nga influenca ruse dhe kineze në rajon, Rama thotë se kjo nuk ndikon, pasi integrimi europian dhe e ardhmja e BE-së është zgjedhja jonë e lirë.

Pyetje: Nëse tashmë hedhim sytë nga rajoni, shohim tensione që kanë rinisur midis Kosovës dhe Serbisë. Do të doja të kisha opinionin tuaj, analizën tuaj mbi këtë situatë.

Rama: Tensionet janë pjesë e atij proçesi. Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Pyetje: Pa dyshim, z. Rama, një nga çështjet kryesore është njohja e Kosovës si komb, i panjohur ende nga të 27 vendet, ndërmjet tyre dhe Spanja.

Rama: Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakort, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë  lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Pyetje: Në fakt, një nga shqetësimet e Bashkimit Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor është influenca si e Rusisë ashtu dhe e Kinës, në këtë rajon.

Rama: Shiko, Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufinj evropianë, jemi një organ i trupit të Evropës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre. Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Evropa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Evropian është zgjedhja jonë e  lirë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *