Normalizimi i marrëdhënieve, Hovenier: Presim nga Kosova e Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe urgjentisht obligimet nga dialogu

normalizimi i marredhenieve hovenier presim nga kosova e serbia ti zbatojne pa parakushte dhe urgjentisht obligimet nga dialogu



































Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

hovenier

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, që u transmetua të mërkurën mbrëma.

Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.

Takimi i kësaj jave mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes, nuk solli rezultat. Kosova e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e akordit.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel për dialogun i vuri tri kushte për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Vuciq nuk i pranoi kushtet e tij dhe takimi dështoi.

I pyetur për këtë, Hovenier tha se Marrëveshja Bazë është “plotësisht zyrtare” pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët. BE-ja ka thënë gjithashtu se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

“Kjo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet. Ky është qëndrimi ynë. Kështu e trajtojmë ne. Dhe ne presim nga të dyja vendet ta zbatojnë atë”, theksoi Hovenier.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011.

“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”, shtoi ai.

Draft-statuti evropian “nuk është non-paper”

Hovenier theksoi se draft-statuti evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është “non-paper”, duke hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit Kurti.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

Por, më vonë, kryeministri Kurti e cilësoi këtë dokument si “non-paper”.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper” është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

“Të jemi të qartë, ky nuk është non-paper, ky nuk është diçka që ne thjesht ua dorëzuam atyre rastësisht. Ne e dorëzuan atë duke thënë se besojmë se [drafti] krijon një Asociacion që i mbron të gjitha shqetësimet që i keni paraqitur ju, i cili nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën [e Kosovës]. I cili nuk ka autoritet ekzekutiv. Kjo i mjafton Kosovës për ta përmbushur detyrimin e saj për themelimin e Asociacionit përmes këtij drafti”, tha ai.

Ai i bëri thirrje përsëri Kosovës ta dërgojë këtë draft në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim dhe ta shfrytëzojë mundësinë për të lëvizur përpara.

Por, Kurti tha kohë më parë se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venedikut.

I pjetur për këtë, Hovenier tha se Komisioni i Venedikut nuk e zgjedh problemin thelbësor në lidhje me Asociacionin.

“Epo, a e dini se kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës ta ndërmarrë këtë hap”, theksoi ai.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore./REL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts