“Nuk është koha për party”, Gjermania shtrëngon masat

08:29 22/12/2021

Në prag të festave të fundvitit Gjermania kufizon kontaktet edhe për të vaksinuarit dhe të shëruarit.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrat e 16 landeve të Gjermanisë miratuan të martën, 21.12. në një takim virtual, masa më të rrepta për kufizimin e kontakteve.

Ato do të hyjnë në fuqi pas Krishtlindjeve, pra, më 28 dhjetor. Pas kësaj date nuk do të lejohen më takime me më shumë se dhjetë vetë njëherësh. Klubet dhe diskotekat do të mbyllen, ndërsa ndeshjet e futbollit dhe aktivitete të ngjashme do të bëhen pa publik.

Për të pavaksinuarit janë ende në fuqi rregullat e mëparshme.

Ekspertët kërkojnë më shumë

Korona nuk bën pushime për Krishtlindje, tha Scholz teksa prezantoi masat, të martën në Berlin. Scholz tha se Gjermania e ka nën kontroll valën e katërt, por varianti Omikron, i cili mund të mbijetojë edhe te të vaksinuarit, po na çon drejt valës së re, për të cilën tani duhet të përgatitemi. “Nuk duhet dhe nuk na lejohet t’i mbyllim sytë para kësaj vale tjetër”, tha ai.

Masat e reja synojnë të reduktojnë numrin e kontakteve, sidomos për Natën e Vitit të Ri. Ato ishin sugjeruar më parë edhe nga Këshilli i Ekspertëve, që u krijua nga qeveria e re.

Vazhdon fushata e vaksinimit 

Scholz tha gjithashtu se, krahas këtyre masave, do të vazhdojë edhe fushata e vaksinimit, edhe gjatë ditëve të festave dhe ndërmjet tyre. Deri në fund të janarit qeveria synon të arrijë edhe 30 milionë vaksina të reja përforcuese.

Gati një e treta e popullsisë (32,6%) kanë marrë vaksinën e tretë, mbi 70% janë vaksinuar dyfish ose kanë marrë një vaksinë njëdozëshe, si Johnson & Johnson. Scholz është për ta bërë vaksinimin me detyrim për të gjithë të rriturit, por për këtë do të vendosë Bundestagu.

Landet të pakënaqura

Masat e marra të martën do të rishqyrtohen në datën 7 janar të vitit të ardhshëm, kur të mblidhet  konferenca tjetër e radhës e Federatës dhe Landeve. Dy lande, Baden-Württenberg dhe Saksoni, u distancuan nga vendimi, nëpërmjet një note protokollare. Ata sikurse edhe instituti Robert Koch kërkojnë masa të menjëhershme dhe më të ashpra./DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.