“Nuk je Ajatollahu i shqiptarëve”/ Patozi i drejtohet Ramës: S’mund t’i japësh leksione demokratëve, shiko anijen tënde, mund të fundoset pa pasur nevojë për topat e kundërshtarit








Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thotë se Rama nuk mund t’i japë leksione demokratëve. Në një reagim, pas deklaratave të kreut të qeverisë, i cili u jepte këshilla demokratëve, Patozi shkruan se sado të dëshpëruar të jenë demokratët, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e kryeministrit.

rama patozi

Sipas tij Rama “duhet të shikojë anijen e tij, e cila fut ujë nga të gjitha anët dhe mund të fundoset edhe pa pasur nevojë për topat e kundërshtarit.”

“Mbaj vendin tënd, se nuk pret kush prej teje t’u tregosh rrugën demokratëve se çfarë duhet të bëjnë me partinë dhe të ardhmen e tyre. Sado të dëshpëruar dhe të pashpresë të ngjajnë sot, për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që i udhëhoqën në përleshjet e djeshme, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e tua”, shkruan nder te tjera Patozi. 

KOMENTI I ASTRIT PATOZIT

MBAJ VENDIN TËND DHE MOS U GËZO PARA KOHE!

Përmbahu, o komandant, edhe pse nuk është kaq e lehtë ta fshehësh gëzimin pas një dhurate, që duket sikur të vjen nga qielli, kur shikon live se si kacafyten mes vedi kundërshtarët e tu politikë.

Por mbaj vendin tënd, se nuk pret kush prej teje t’u tregosh rrugën demokratëve se çfarë duhet të bëjnë me partinë dhe të ardhmen e tyre. Sado të dëshpëruar dhe të pashpresë të ngjajnë sot, për shkak të papërgjegjshmërisë së atyre që i udhëhoqën në përleshjet e djeshme, ata nuk kanë nevojë për sugjerimet e tua.

Madje nuk na shkon të japim këshilla, as ne të tjerëve, që kemi kaluar më shumë se gjysmën e jetës në atë parti, përsa kohë jemi ndarë me hir apo me pahir prej saj.

Sepse ti nuk je Ajatollahu i shqiptarëve, edhe pse mund ta ëndërrosh shumë një gjë të tillë. Ndaj shiko punët e qeverisë tënde, shumicën e të cilave i ke katranosur, dhe mos merr përsipër të bësh edhe detyrat e opozitës.

Ata do ta gjejnë vetë drejtimin e tyre, sepse opozita nuk mund të jetë asnjëherë vetëm një seli, një logo, një vulë, e aq më pak halli i vetëm një njeriu apo i familjes së tij. Ajo është mbi të gjitha frymë dhe nevojë e shoqërisë për të shpresuar tek ndryshimi dhe ajo do ta gjejë shumë shpejt, jo vetëm formulën e përfaqësimit, por edhe njerëzit e duhur për ta drejtuar.

Ndaj kurseji leksionet për demokratët e zhgënjyer dhe hidhi një sy anijes së lodhur të qeverisë tënde, e cila fut ujë nga të gjitha anët. Aq sa mund të fundoset edhe pa pasur nevojë fare për topat e kundërshtarit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *