“Nuk ka ushqim për nënat, si t’u japin qumësht?”, fati i keq i foshnjeve në Gaza

nuk ka ushqim per nenat si tu japin qumesht fati i keq i foshnjeve ne gaza
nuk ka ushqim per nenat si tu japin qumesht fati i keq i foshnjeve ne gaza

10:10 24/12/2023

Në Rripin e Gazës askush nuk është i sigurt! Fati i keq është një biletë pa kthim për shumë foshnje të lindura në Gaza. Gjyshja ka një dëshirë të thjeshtë për mbesat e saj binjake, Alma dhe Salma: Ato duhet të vendosen në një dhomë të pastër dhe të sigurt ku mund të lahen.

Në vend të kësaj, foshnjat po jetojnë në një tendë për njerëzit e zhvendosur në Rafah, në Gazën jugore. Nëna e tyre nuk mund t’i ushqejë me gji sepse nuk po merr ushqim të mjaftueshëm që trupi i saj të prodhojë qumësht.

Higjena po ashtu është e rëndë. Mungesa e ujit po vështirëson jetën e foshnjeve të porsalindura. Alma dhe Salma janë pjesë e një brezi foshnjash të Gazës të lindur në familje të pastreha dhe të varfra që luftojnë për t’i mbijetuar sulmit të egër ushtarak të Izraelit, i cili ka shkaktuar një katastrofë humanitare.

Gjyshja e tyre, Um Mohammed al-Jadba, lufton çdo ditë për të gjetur ujë për t’i bërë shishe me qumësht formulë. Ajo e zien ujin në një termus në një zjarr jashtë çadrës.

Familja fillimisht ishte zhvendosur nga qyteti i Gazës në Khan Younis, qyteti kryesor në Gazën jugore. Binjakët kanë lindur atje, në spitalin Nasser. Më pas, ndërsa forcat izraelite zgjeruan sulmin e tyre tokësor në jug, familja u zhvendos përsëri në Rafah.

Por me shumicën e spitaleve në të gjithë Gazën tani të mbyllura, qindra mjekë dhe punonjës të tjerë shëndetësorë të vrarë dhe mungesa e karburantit dhe energjisë elektrike, po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

“Ne erdhëm këtu kur filloi lufta për të qëndruar me motrën time në Khan Younis. Nusja ime ishte shtatzënë, pas një jave lindi një vajzë. Një javë më pas, vëllai im dhe familja e tij na u bashkuan dhe gruaja e tij lindi një djalë. Djali im tjetër, erdhi nga rruga al-Nafaq, gruaja e tij ishte shtatzënë me binjakë dhe kishte nevojë për lindje cezariane, asnjë spital nuk e priti, ata u mbyllën kështu që në të njëjtën ditë ajo mbërriti në Khan Younis ku e çuam në spitalin Nasser dhe lindi. Siç mund ta shihni, këto foshnja nuk kanë tendë apo strehë, nuk janë larë që nga dita e lindjes. Ata tashmë janë një muajsh, shihni hapësirën në të cilën ata jetojnë?”

Disa sende ishin të varura në qese plastike nga pllaka kompensatë që mbanin lart çatinë e tendës. E vetmja gjë që iu ka mbetur janë këto rroba të grumbulluara rreth skajeve të dyshekëve.

“Ata ushqehen me formulë, pasi nëna e tyre nuk mund të ushqejë me gji nga frika se mos ka ndonjë sëmundje. Çdo mëngjes zgjohem, ziej ujë për të dy dhe vajzën e djalit tim. Unë pastaj shkoj dhe u bëj bukë. Nuk ka ushqim për nënat, si mund ato të ushqejnë fëmijët me gji? Nuk ka asgjë për të ngrënë. Çdo ditë i ushqej me trumzë, nuk ka asgjë tjetër për të ngrënë.”

Banorët shprehen se lufta po shkakton katastrofëm më të madhe në histori, nuk është vetëm një luftë territoresh, por një luftë për t’u ushqyer.

“Shumë prej foshnjeve këtu kanë lindur në tmerre. Disa prej tyre kanë humbur gjyshërit,  të tjerë babanë e të tjereë të gjithë anëtarë të familjes. Shumë nëna këtu kanë pësuar tronditje.”

Njëri prej foshnjeve është në gjumë të thellë, i veshur me një kostum gjumi të bardhë të zbukuruar me flutura shumëngjyrëshe dhe të mbështjellë me një batanije. Tjetra ishte me një kostum gjumi të thjeshtë të bardhë dhe një batanije rozë, duke mbajtur mbledhur gishtat e vegjël dhe duke parë nga gjyshja kur ajo fliste.

Diku tjetër në kampin ku jetonin Alma dhe Salma, familje të tjera me foshnja po përballeshin me vështirësi të ngjashme.

Yasmine Saleh mbajti në krahë vajzën e saj Toleen, e cila lindi më 15 tetor, tetë ditë pas luftës. Një kostum gjumi i gjelbër i ndezur është e vetmja gjë që ka për foshnjen e saj.

“E linda në spitalin Nasser në Khan Younis më 15 tetor. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të lindja në një situatë të tillë, apo do ta vendosja vajzën time në një çadër në këtë mot të ftohtë dhe të acartë. Ne nuk kemi mundësi t’i rrisim ato, madje edhe malli i disponueshëm këtu është i shtrenjtë , gjithçka është e shtrenjtë. Ajo nuk është në gjendje të ushqehet normalisht me gji. Situata është jashtëzakonisht e vështirë, ne nuk hamë shumë, kështu që ajo nuk merr qumësht gjiri. Fëmija frikësohet sa herë që ka sulme ajrore, zgjohet dhe qan gjatë gjithë kohës nga lëkundjet.“

Izraeli filloi sulmin e tij në Gaza në përgjigje të një sulmi nga militantët e Hamasit në të gjithë Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1500 njerëz duke përfshirë foshnja dhe fëmijë dhe 240 njerëz të të gjitha moshave u morën peng.

Bombardimet e tij kanë vrarë mbi 20,000 palestinezë në të gjithë Gazën, kryesisht gra dhe fëmijë. Mungesa e tmerrshme e ushqimit, ujit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit po e bën mbijetesën një luftë të përditshme për të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh.

“Edhe sigurimi i ujit është një luftë. Shikoni dhomën në të cilën ndodhen, gjithçka është vërtet e vështirë për ne. Nëse kemi gjithçka në dispozicion, do të qëndronim këtu pa problem. Por pa ushqim, as ujë apo ushqim të paktën për të sapolindurit. Shpresa jonë ishte që këta fëmijë të lindnin në një vend të sigurt, pa sulme ajrore, pa luftëra, pa zhvendosje. Çfarë faji kanë bërë këta fëmijë? Shikoni këtë foshnjë, si po e mban dorën lart. Ajo mban dorën për paqe.”

Administrata Biden ka vazhduar t’i rezistojë thirrjeve për të mbështetur një armëpushim në Gaza. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli duhet të reduktojë viktimat në operacionet e tij.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar se SHBA dëshiron të shohë Izraelin të lëvizë drejt “operacioneve me intensitet më të ulët” por Shtetet e Bashkuara nuk do të diktojnë kushte dhe afate kohore për autoritetet izraelite pasi janë ata që do të vendosin se kur dhe si do të duhet intensiteti më i ulët i luftimeve.

Nivelet e pasigurisë akute ushqimore janë të paprecedentë për sa i përket seriozitetit, shpejtësisë së përkeqësimit dhe kompleksitetit. Gaza rrezikon zi buke, deklaron OKB si dhe organizata të tjera.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka deklaruar se vendet anëtare nuk duhet të presin që të shpallet uria përpara se të veprojnë, duke bëtë kështu thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, hapjen e të gjitha pikave kufitare dhe rifillimin e dërgesave me ndihma, për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe për të shmangur kërcënimin shumë serioz të urisë. Bisedimet po zhvillohen për të arritur një armëpushim të ri të ngjashme me pauzën njëjavore në luftimet muajin e kaluar.

Një raport nga OKB thotë se përqindja e familjeve në Gaza që përballen me nivele të krizës së urisë është më e larta që ka regjistruar ndonjëherë në nivel global. OKB-ja ka përpiluar të dhëna se të paktën 577,000 njerëz në Gaza aktualisht po përballen me urinë. Klasifikimi zakonisht nënkupton se dy nga 10,000 njerëz vdesin çdo ditë nga uria.

Klan News


Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts