“Nuk kemi luksin të gabojmë, luajmë vetëm për fitore”, Debutim në derbi, por Ksavi do pikët: Jemi në situatë kritike








Ksavi Hernandez do të bëjë sonte në mbrëmje debutimin e tij në stolin e Barcelonës. Aventura e tij si numri një i stolit të Barçës do të përkojë me një ndeshje të veçantë, pasi në “Camp Nou” do të bëjë vizitë Espanjoli fqinj, në një derbi që vlen shumë. Trajneri i Barcelonës ka parashikuar një derbi të ndërlikuar në debutimin e tij, por Ksavi i bën llogaritë me tri pikët. Për vetë situatën e Barcelonës, jo vetëm që nuk lejohet një hap tjetër fals, por gjithçka i kushtohet fitores për të mos lënë më pikë rrugës.

ksavi 1

RIVALI

“Espanjoli është një ekip shumë i mirë, ata mund të na vënë në vështirësi. Janë mjaft të shpejtë në sulm. Është një Espanjol me shumë resurse, ndaj parashikoj një ndeshje delikate”.

VLERAT

“Ajo që do të kërkoj nga ekipi është të japë më të mirën e vet, pastaj se cili do të jetë rezultati këtë e vendos fusha. Jemi në një moment delikat, na mungojnë shumë pikë dhe nuk e kemi luksin të lëmë të tjera rrugës. Dua që publiku të na mbështesë, ta kemi në krah”.

MERKATO

“Nuk mendoj se ka ndonjë të re veç firmës me Dani Alvesh. Unë e cilësoj një afrim shumë të rëndësishëm. Pastaj në janar do të presim se çfarë do të ndodhë, kemi kohë përpara”.

KUTINJO

“Është një lojtar, i cili mund të luajë në pozicione të ndryshme. I mungon besimi dhe duhet ta rifitojë sa më shpejt, sepse mund të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm dhe do të ketë shanset e tij sepse është një lojtar që më pëlqen shumë. Nëse gjithçka shkon mirë, do të ketë minutat e tij”.

“CAMP NOU”

“Në fund të fundit çfarë do të bënim pa mbështetjen e tifozëve tanë? Ne duhet të japim gjithçka në fushë. Tifozët tanë nuk duhet të mjaftohen vetëm me prezantimin tim”.

HUMBJA E MUNDSHME

“Për se duhet të mendoj për humbjen? Uroj që ajo të vijë sa më vonë. Ndaj Espanjolit as që e mendoj, dua vetëm fitore”.

TITUJT

“Nuk duhet të mendojmë për titujt, por për të fituar ndeshjet. Nuk jemi në pozicionin ku mund të ëndërrojmë shumë, jemi prapa dhe kemi shumë për të rikuperuar gjatë rrugës. E vërteta është se Barcelona lufton për trofe. Por për të shkuar atje na duhet të fitojmë ndeshjet tona. E theksoj se nuk jemi në situatën më të mirë të mundshme”.

MES LOJËS DHE FITORES

“Janë shumë gjëra në mes, por natyrisht që në këtë moment që po kalojmë rezultati është më i rëndësishmi. Kemi nevojë për pikë dhe këtë gjë ia kam bërë të qartë lojtarëve, veçanërisht të rinjve, sepse jemi një ekip të rinjsh”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.