“Nuk lejojmë të ndodhë ndonjë krizë”! Lajçak: “Situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duhet të zgjidhet

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” që i ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, miratoi vendimin për mundësitë e rirregjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS (Republika e Kosovës).

Qeveria e Kosovës, po ashtu, miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qytetarët e Kosovës, me vite, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale, kur hyjnë në territorin e Serbisë.

Beogradi zyrtar reagoi ashpër ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti “po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

Lajçak tha për gazetarët në Beograd se “kjo situatë duhet të zgjidhet”.

“Nuk guxojmë të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, tha ai.

Në një postim në Twitter, ai shkroi se ka zhvilluar “bisedime të gjata” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën në Beograd, dhe se ka theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje përmes negociatave.

Përpara se të udhëtonte në Beograd, më 29 qershor, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor, ku ka thënë se është duke punuar për përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Lajçak përsëriti të enjten se vizita e tij në rajon ka pasur për qëllim përgatitjet për takimin e radhës të liderëve.

“Unë kam ardhur në rajon për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm të krerëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Tani duhet ta zgjidhim këtë situatë”, tha Lajçak.

Deri më tash, Kurti dhe Vuçiç janë takuar vetëm dy herë, por pa bërë ndonjë përparim konkret në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky proces ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Duke reaguar ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, më 29 qershor, Vuçiç ka thënë se përgjigjja e Serbisë do të jetë e matur.

“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, ka thënë ai.

Vuçiq, po ashtu, ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.

REL ka kërkuar koment nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me deklaratat e Vuçiçit, por nuk ka marrë përgjigje ende./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.