“Nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij”- Nishani komenton zgjedhjet në PD: Imagjinoni sikur Basha të kishte pasur…






Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, përmes një komenti në rrjetet sociale thotë 13 qershori nuk solli asnjë risi në selinë blu.

n bash

Nishani shprehet se Basha në vend të krijonte një projekt të ri politik ndryshe nga ai 2013-2021, “nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohshme për institucionet drejtuese të Partisë!”.

Imagjinoni sikur L. Basha të kishte patur forcën, energjitë dhe zotësinë të kishte realizuar zgjedhjet e parakohëshme politike në vend (të cilat i premton rregullisht që prej 2015) siç bën ato në partinë që komandon vetë, se sa ndryshe do të ishin demokratët dhe vetë PD, sot!”, shkruan Nishani në “Facebook”.

Komenti i plotë

13 Qershori, votimi për Kryetarin e PDSH nuk solli asnjë risi, asnjë zgjidhje e asnjë shpresë pas humbjes dramatike të zgjedhjeve të 25 Prillit dhe traumës politike e psikologjike që solli 25 Prilli ndër votuesit e PD !

Për herë të parë në historinë e jetës së saj PD mbetet 3(tre) mandate rrjesht në opozitë dhe me rezultat përsëri më të ulët se ai i vitit 2013, kur doli në opozitë pas 8 (tetë) viteve në qeverisje !

Kjo humbje dëshpëruese për PD ishte deri diku e paralajmëruar kohë më parë, ndaj kërkonte marrjen e masave të forta para se të mbërrinte 25 Prilli.

Së pari, Edi Rama e kishte shndërruar pushtetin e tij të pakufizuar e të pa kontrollueshëm nga askush pothuajse në një regjim kleptokratik ku korrupsioni, antiligji, dhe fasada propagandistike ishin kolonat e ngrehinës që mbante peng shqiptarët.

Së dyti, Lulëzim Basha, e kishte mbajtur opozitën në një stanjacion politik, strukturor, pa nerv vibrant e larg qytetarisë, larg kolonave përfaqësuese të së djathtës dhe elitës së vendit.

Një situatë absurde ku të gjitha sondazhet reale e tregonin liderin 10 pikë % poshtë pëlqyeshmërisë së partisë, çka paralajmëronte se PD do mund të mblidhte veç votat e elektoratit të saj historik e asnjë votë nga pjesa “gri” që në fakt përcakton se nga do të anojë shumica e re !

Regjimi i Edi Ramës ekzekutoi të njëjtin skenar manipulimi siç kishte bërë edhe në 2015 e 2017, madje me blerje votash e ushtrim influencash edhe më të mëdha e më të shumta se më parë!

Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse në 2021 kishte para korrupsioni në dispozicion shumë më tepër se në 2017, dispononte pushtet shumë më të madh e të pakontrolluar se në 2017.

Por po ashtu është shumë e qartë se në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato parlamentare në 2025, regjimi i tij do të ketë edhe më shumë para korrupsioni e pushtet të pakontrollueshëm se sa sot në 2021.

Pikërish ky realitet i trishtë e kjo sfidë dramatike duhet të nxiste PD dhe detyronte L. Bashën të krijonin hapsirën e një projekti të ri politik, krejt të ndryshëm nga ai i 2013-2021, që rezultoi i pasuksesshëm dhe i dështuar !

Por në vend të kësaj, L. Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohëshme për institucionet drejtuese të Partisë !

Imagjinoni sikur L. Basha të kishte patur forcën, energjitë dhe zotësinë të kishte realizuar zgjedhjet e parakohëshme politike në vend (të cilat i premton rregullisht që prej 2015) siç bën ato në partinë që komandon vetë, se sa ndryshe do të ishin demokratët dhe vetë PD, sot !

Por 13 Qershori tregoi edhe një fakt të rëndë për vetë PD.

Përsëri për herë të parë në historinë e saj, PD drejtohet nga një Kryetar i cili doli nga proçesi zgjedhor me votat e vetëm 30% të anëtarësisë, pra që përfaqëson minorancën brenda kësaj partie, madje duke marrë 40% më pak vota se sa kishte marrë në zgjedhjen e tij paraardhëse në 2017 !

Imagjinoni tani se sa do të mundet të motivojë e bëjë për vete ky “udhëheqës” elektoratin shqiptar në zgjedhjet e ardhëshme kur brenda partisë së tij ka rënë me 40% !!!!!

PD sot paraqet “kërcënimin” më të dobët se kurrë më parë ndaj qeverisjes së PS, në të gjithë historinë e saj gati 30 vjeçare.

Megjithëse qeverisja aktuale e PS është më e paafta, më e korruptuara dhe më kërcënuesja ndaj interesave kombëtare se sa çdo qeverisje tjeter e mëparshme socialiste, përsëri ajo ndihet më e pakërcënuar dhe pa kokëçarje nga rreziku i kundërshtarit përballë.

Përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e L. Bashës por më e para dhe më kryesorja është e tij.

Por, L. Basha sot po bllokon e pengon reflektimin, korigjimin dhe ndryshimin rrënjësor të PD, jo vetëm si një parti kryesore e sistemit tonë politik por më së shumti si alternativë qeverisëse në një demokraci funksionale.

Ka gjithashtu mjaft zëra publik e jo publik që sot bëjnë avokatinë politike të L. Bashës. Disa prej tyre edhe majtistë në afilacion e kundërshtarë të afishuar në 30 vite ndaj PD.

Eshtë normale dhe e drejtë e gjithkujt, pavarësisht motiveve të ndryshme, që ta bëjë atë avokati.

Ajo është çështje e ndërgjegjes.

Ndërgjegja e askujt nuk gjykohet !

Ajo që unë shoh me shqetësim është mungesa e avokatisë ndaj situatës së mijëra demokratëve që kanë 8 (tetë) vite që diskriminohen duke u hequr nga puna, duke ju goditur bisnesi, duke ju mbyllur çdo sportel i shërbimeve publike, vetëm për faktin se janë të afishuar politikisht si aktivistë të PD !

Do të vijojnë të jenë nën këtë diskrimin edhe 4(katër) vite të tjera e nuk reflekton askush për fatin e tyre !

PD nuk është L. Basha, PD nuk është as Kryesia e saj, as Këshilli Kombëtar, PD nuk është as grupi në minorancë i deputetëve, madje PD nuk është as vetëm anëtarësia e saj.

PD është, të paktën sot, 620 mijë shqiptarë që e votuan më 25 prill, por që edhe ata rezultuan të ishin të pamjaftueshëm për atë çka duhet të jetë vërtet PD.

PD domozdoshmërisht duhet të jetë besimi dhe përfaqësimi i 1 milion shqiptarëve !

PD duhet të jetë ndjeshmëria dhe vullneti i shumicës së qytetarëve !

Kjo nuk është lehtësisht e arritëshme por e mundëshme dhe alternative jetike !

Përndryshe jo vetëm anëtaresia e PD por shumica dërrmuese e shqiptarëve do të vijojnë të vuajnë pasojat e regjimit kleptokratik dhe korruptuv të Edi Ramës për më tej !

Për këtë më së pari PD i duhet lidership i ri, vizion i ri, projekt i ri !

PD nuk mund të ketë sukses duke u drejtuar nga një kryetar i pa aftë dhe jo serioz !

PD i duhet një lidership ndryshe.

I duhet jo një lidership që quhet i tillë sepse cakton emrat e Kryesisë së Partisë, apo sepse vendos listën e deputetëve, por një lidership me forcë dhe integritet që fiton besimin, simpatinë, solidaritetin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve pavarësisht faktin nëse janë anëtar të PD, sipatizantë të saj apo qytetarë pa afilacione partiake !

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *