
17:50 22/05/2023
“Kandidati i tretë”, thirrje mbështetësve: Opozita nuk na bindi
Kandidati i renditur i treti në garën presidenciale në zgjedhjet e 14 Majit në Turqi, Sinan Ogan i bën thirrje publike mbështetësve të tij që në balotazhin e 28 majit të votojnë pro presidentit aktual Recep Tayyip Erdogan.
“Është e rëndësishme që presidenti i sapozgjedhur t’i përkasë të njëjtës udhëheqje si Parlamenti. Aleanca e Kiliçdarollu nga ana tjetër, nuk mundi të shfaqte sukses të mjaftueshëm kundër Aleancës Popullore e cila ka qenë në pushtet për 20 vjet. Ai nuk mund të krijonte një alternativë bindëse për të ardhmen”.
Ogan u takua me Erdoganin më 19 Maj. Sipas mediave turke, Erdogan ka rënë dakord me pikat e propozuara nga Ogan, ndër të cilat dëbimi gradual i të gjithë azilkërkuesve. Si ultranacionalist, Ogan është veçanërisht kundër sirianëve, të cilët i konsideron si shkaktarë të disa sulmeve terroriste dhe të rritjes së akteve kriminale në qytetet ku janë strehuar në jug të vendit.
Ogan mori më shumë se 5% të votave më 14 Maj, një përqindje e mjaftueshme për të përcaktuar se kush do të jetë president i Turqisë, për 5 vitet e ardhshme. Sakaq mediat turke theksojnë se partitë e koalicionit që e mbështetën Ogan në raundin e parë mund të mbajnë një qëndrim të kundërt me të për balotazhin e 28 majit. Qëndrimi i tyre pritet të shpallet në ditën në vijim.
Tv Klan