OKB-ja do të publikojë raportin për klimën

13:30 09/08/2021

Liderët botërorë do të mblidhen në Skoci, për të hartuar një plan të ri mbi klimën

OKB-ja do të publikojë  një raport mbi ndryshimet e klimës që ka të ngjarë të japë paralajmërime edhe më serioze se sa shpejt planeti ynë po ngrohet dhe sa të rrezikshme mund të jenë pasojat.

Raporti vjen tre muaj para se udhëheqësit botërorë të mblidhen në Skoci, për të hartuar një plan të ri për të kufizuar rritjen e temperaturave globale. Qeveritë do të informohen me fakte të përditësuara mbi ndikimet aktuale dhe rreziqet e ngrohjes globale në të ardhmen.

Shkencëtarët deklarojnë se bota duhet të përgjysmojë emetimet globale deri në vitin 2030 dhe t’i ulë ato në zero deri në vitin 2050 në mënyrë që të parandalohet ngrohja  globale me mbi 1.5 gradë Celsius.

Por efektet e ngrohjes globale tashme po ndihen kudo per shkak të kapriçove të motit i cili po vërehet në të gjithë globin. Pothuajse të gjithë akullnajat e botës po shkrihen me shpejtësi. Vetëm këtë vit, reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në pjesë të Kinës qendrore dhe Evropës, ndërsa zjarret po shpërthejnë në të gjithë Siberinë, SHBA-në dhe Mesdheun.

Samiti i ardhshëm i cili do të zhvillohet në Skoci konsiderohet si takimi më i rëndësishëm mbi krizën klimatike pas atij të Parisit në vitin 2015. Në atë samit rreth 200 vende nënshkruan marrëveshjen historike të klimës e cila synon të vendosë nën kontroll ngrohjen globale. Mes këtyre vendeve ishte edhe Shqipëria e cila u angazhua në mënyrë serioze dhe ambicioze për të  zbatuar objektivat e vendosura.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *