OKB: Rreth 10 mijë persona nga Mianmari kërkuan strehim pranë kufijve të Indisë dhe Tajlandës

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se rreth 10 mijë persona i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe kanë kërkuar strehim pranë kufijve të Indisë dhe Tajlandës për shkak të konflikteve mes ushtrisë dhe grupeve kundër grushtit të shtetit në Mianmar.

Përfaqësuesja speciale e OKB-së për Mianmarin, Christine Schraner Burgener deklaroi se konfliktet e përjetuara javët e fundit mes ushtrisë së Mianmarit dhe grupeve të armatosura kundër grushtit ushtarak, kanë shkaktuar zhvendosjen e shumë personave.

“Në bisedat që kemi zhvilluar me palët në Mianmar po dëgjoj në mënyrë të drejtpërdrejt nga goja e tyre se sa e tmerrshme është situata. Njerëzit po vuajnë nga uria, jetojnë në frikë dhe nuk kanë aspak shpresë”, tha Burgener.

“Konfliktet që vazhdojnë në zonat qendrore të vendit dhe në zonat kufitare me Kinën, Indinë dhe Tajlandën, deri më tani kanë shkaktuar zhvendosjen e rreth 175 mijë njerëzve dhe migrimin e rreth 10 mijë refugjatëve në kufirin me Indinë dhe Tajlandën”, tha ajo.

Sipas saj, kriza në Mianmar është bërë një kërcënim rajonal dhe se ndërhyrja në kohë ka rëndësi jetësore.

Burgener nënvizoi se edhe muslimanët e Arakanit vazhdojnë përpjekjet për strehim në vende të tjera duke kaluar nëpërmjet rrugës detare dhe në kushte të pasigurta.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri tani mijëra persona janë arrestuar dhe 872 persona e kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kryengritëse.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë në arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *