OKB: Vdekjet e emigrantëve mund të parandaloheshin

23:55 25/11/2021

BREXIT cilësohet si shkaktar i tragjedisë në La Mansh

Britania kërkoi bashkëpunimin e Francës pas tragjedisë me mbytjen e emigrantëve të paligjshëm në kanalin e La Manshit. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson i ka shkruar Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe ka përcaktuar pesë hapa që sipas tij duhet të ndërmerren nga të dyja vendet.

Mes tyre, Johnson kërkon patrulla të përbashkëta për të parandaluar nisjen e anijeve nga plazhet franceze si dhe përdorimin e teknologjisë së lartë.

Kryeministri Johnson thotë se ka besim se këto hapa do t’i mundësojnë Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës të “adresojnë migrimin e paligjshëm dhe të parandalojnë që më shumë familje të përjetojnë drama si ajo e së mërkurës”.

Më herët Franca u zotua të rrisë mbikëqyrjen e brigjeve të saj veriore, por emigrantët që grumbullohen në kampe të improvizuara thanë se as tragjedia e së mërkurës nuk do t’i ndalojë që të përpiqeshin të kalonin Kanalin e La Manshit për në Britani.

Shtatëmbëdhjetë burra, shtatë gra dhe tre adoleshentë vdiqën të mërkurën kur gomonia e tyre u shfry. Ky ishte një nga shumë udhëtime të rrezikshme që emigrantët tentojnë të realizojnë me varka të vogla. Kryesisht ata i ikin varfërisë dhe luftës në Afganistan, Irak e më gjerë.

Tragjedia thelloi armiqësinë midis Britanisë dhe Francës, tashmë në mosmarrëveshje për çështjet e Brexit-it.

Gjatë qëndrimit të tij në Zagrab të Kroacisë, Presidenti Emmanuel Macron mbrojti veprimet e Parisit, por tha se Franca ishte thjesht një vend tranzit për shumë emigrantë dhe nevojitej më shumë bashkëpunim europian për të trajtuar imigracionin e paligjshëm.

“Unë do ta them shumë qartë se forcat tona të sigurisë janë të mobilizuara ditë e natë. Por mbi të gjitha, ne duhet të forcojmë seriozisht bashkëpunimin me Belgjikën, Holandën, Britaninë dhe Komisionin Europian”, tha Macron duke premtuar “mobilizim maksimal” të forcave franceze, me rezervistë dhe dronë që të vëzhgojnë bregdetin.

Kur Britania u largua nga BE, ajo nuk ishte më në gjendje të përdorte sistemin e bllokut për kthimin e emigrantëve në shtetin e parë anëtar ku kanë hyrë.

Në lidhje me tragjedinë reagoi dhe OKB-ja. Organizata tha se ajo mund të parandalohej pasi sa më shumë kufizime të vendosen për imigrantët që kërkojnë azil aq më shumë vdekje mund të ndodhin.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *