
11:11 08/12/2021
Votëbesohet në parlament, betohet para presidentit
Olaf Sholc i jep fund edhe zyrtarisht epokës 16-vjeçare të Angela Merkelit. Me 395 vota, 26 më tepër se numri i nevojshëm, parlamenti e zgjodhi atë kancelar të Gjermanisë gjatë votimit paraditen e kësaj të Mërkure.
Pas përgëzimeve që mori nga përfaqësuesit e partisë së tij në parlament dhe nga ata të aleatëve të gjelbër dhe liberaldemokratët, 63-vjeçari iu drejtua pallatit presidencial ku bëri zyrtarisht edhe betimin para kreut të shtetit gjerman Frankvalter Shtajnmajer.
Një ndër sfidat më të vështira që e pret kancelarin e ri është vendimi për ta bërë të detyrueshëm për gjithë popullsinë vaksinimin anti-Covid, teksa kjo masë u paralajmëruar edhe gjatë negociatave të javëve të fundit për formimin e koalicionit të ri qeverisës. Ashtu si ajo pararendëse, qeveria e re mbështet hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Olaf Sholc është socialdemokrati i katërt që merr drejtimin e qeverisë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore dhe i nënti i Republikës Federale Gjermane.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al