Operacioni më i madh amerikan i evakuimeve nën kërcënimin e ISIS e talebanëve

20:45 25/08/2021

Presidenti Joe Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të përmbushin misionin për të evakuuar brenda afatit të 31 gushtit nga Afganistani shtetasit amerikanë dhe afganët që përmbushin kriteret. Megjithë përshpejtimin e ritmeve, ligjvënësit kanë shprehur shqetësim për rrezikun që paraqesin talebanët dhe dega e Shtetit Islamik që vepron në këtë vend si dhe nga mungesa e përgatitjes nga ana e Shteteve të Bashkuara përballë kaosit në Kabul.

Evakuimet nga aeroporti i Kabulit po shpejtohen në përgatitje për tërheqjen e plotë të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani më 31 gusht. Shtëpia e Bardhë thotë se Shtetet e Bashkuara po ecin me ritmin e duhur për të respektuar afatin:

“Për çdo ditë që rrimë në Afganistan, dega e ISIS-it në këtë vend vazhdon përpjekjet për të sulmuar aeroportin për të na goditur ne, aleatët e civilët e pafajshëm,” tha Presidenti Biden.

Këto komente pasojnë deklaratat e talebanëve se nuk do të negociojnë me Amerikën për zgjatjen e afatit.

“Po u përcjellim përsëri amerikanëve mesazhin që të tërheqin të gjithë qytetarët e tyre brenda afatit të caktuar. Ata kanë objektet, avionët në dispozicion, kanë nën kontroll aeroportin. Duhet të evakuojnë të gjitha forcat dhe kontraktorët që kanë lidhje me ta,” tha zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Shtëpia e Bardhë sqaroi se evakuimet do të përfundojnë para 31 gushtit:

“Është e nevojshme të lejohet pak kohë për të përmbyllur gradualisht tërheqjen ushtarake,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Pentagoni thotë se procesi i nxjerrjes së trupave dhe pajisjeve kërkon disa ditë, ndërsa administrata thotë se ka ende kohë për të përfunduar evakuimin e të gjithë amerikanëve dhe afganëve, që përmbushin kriteret. Deri tani mbi 70,000 vetë janë evakuuar, duke e bërë këtë operacionin më të madh në historinë amerikane.

“Kjo shpalosje e jashtëzakonshme bashkëpunimi dhe fokusi ka mundësuar evakuimin e 21,600 vetëve nga Afganistani brenda 24 orësh,” tha Gjeneral Majori Hank Taylor.

Por ligjvënësit amerikanë po analizojnë arsyet përse qeveria afgane dështoi në përgjegjësitë për mbrojtjen e vendit duke përfunduar në një dorëzim kaotik:

“Kishte plot sinjale paralajmëruese se talebanët mund të marrin kontrollin, madje në një mësymje të shpejtë. Por është me vend të themi se askush nuk e kishte parashikuar një dështim të tillë total të qeverisë dhe forcave afgane,” thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Republikanët në Kongres thonë se zyrtarë përgjegjës në Shtëpinë e Bardhë duhet të japin dorëheqjen pasi nuk parashikuan dështimin dhe nuk kishin plane për evakuim:

“Kjo ndodhi për faj të Joe Bidenit, për faj të Kamala Harrisit dhe të gjithë administratës së tyre. Plani i tyre për tërheqje ishte plotësisht i papërgjegjshëm. Ata ishin informuar, e dinin se veprimet që po bënin do të rezultonin në situatë krize,” thotë ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene.

Si demokratët, ashtu edhe republikanët i kanë përcjellë me dyshim komentet e Shtëpisë së Bardhë se SHBA mund ta realizojë evakuimin brenda afatit. Ata i kanë bërë thirrje Presidentit Biden ta shtyjë datën e tërheqjes së plotë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka plane alternative nëse është e nevojshme që evakuimet të vazhdojnë edhe në shtator./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *