Opozita çeke fiton shumicën

21:58 09/10/2021

U duk se po fitonte ngushtë zgjedhjet parlamentare, por tani është e qartë, kryeministri miliarder çek Andrej Babis dhe partia e tij ANO humbën në garën për t’u rizgjedhur.

Pas numërimit të mbi 99 për qind të qendrave të votimit, televizioni çek parashikoi fitoren e dy koalicioneve opozitare të 108 nga 200 vendeve të parlamentit.

Të dyja koalicionet kanë thënë paraprakisht se nuk do të punojnë me zotin Babis. Opozitari Ivan Bartos tha se brenda opozitës kanë filluar bisedimet për formimin e qeverisë.

“Opozita demokratike do të ketë shumicën dhe kjo do të shënojë fundin e dominimit politik të Andrej Babis. Sonte ne … ndoshta do të fillojmë bisedimet me koalicionin tjetër mbi mundësinë e formimit të qeverisë së ardhshme,” tha shefi i partisë liberale Ivan Bartos.

Sipas sondazheve të publikuara nga agjencia e lajmeve Reuters, partia populiste ANO fitoi rreth 27.2% të votave, ndërsa partia qendrës së djathtë Spolu (që do të thotë së bashku) fitoi 27.7% dhe liberalët e koalicionit PirStan 15.5%.

Presidenti Milos Zeman, tha më herët se do t’i japë të drejtën për të formuar qeverinë kryeministrit të tanishëm Babis. Por nëse opozita i përmbahet zotimit për të mos punuar me kryeministrin Babis, atëherë do të jetë matematikisht e pamundur për udhëheqësin e partisë ANO të qëndrojë në pushtet.

Kryeministri 67-vjeçar Babis, u përball me kritika gjatë fushatës për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit, për rritjen e shpejtë të borxhit apo për përdorimin e detyrës zyrtare për interesat e biznesit të tij. Babis i mohon të gjitha akuzat.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *