Opozita kritikon skemën e qeverisë! Braçe përplaset me zëvendësministren për naftën: Pse nuk zbatohet VKM-ja për fiskalizimin








KELMENT BACI/ Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe është përplasur dje me zëvendësministren e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero, për mungesën e fiskalizimit të sektorit të hidrokarbureve.

nafta

Deputeti i PS-së tha se sektori më i rëndësishëm në vend është jashtë skemës së fiskalizimit. Sipas tij, hedhja e përgjegjësive të institucioneve nuk i shërben zgjidhjes së problemit, por theksoi se sot nuk zbatohet vendimi i qeverisë për sektorin e shitjeve me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve.

“E dinë të gjithë që procesi i fiskalizimit për sektorin e shitjeve me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve ka një VKM të posaçme që e rregullon, e cila nuk po zbatohet. Ky është problemi! Nuk po zbatohet jo për shkak të kompanive të karburantit, por për shkak të një koncensionari që do të bëjë monopol gjithçka. Pra, një koncensionar që i bëri shantazh shtetit për muaj të tërë për të mosjeluar të nxirrte atë VKM që nxori. Prandaj, sot nuk ka fiskalizim”, tha Braçe.

Në përgjigjen e saj, zëvendësministrja Vjero tha se sektori i hidrokarbureve është i fiskalizuar dhe ligji nuk e përjashton atë nga ky proces. “Procesi i fiskalizimit është një proces që nuk përjashton asnjë sektor, duke përfshirë këtu edhe atë të hidrokarbureve. Ne nuk kemi të dhëna nga administrate tatimore që të tregojë se ky sektor është i pafiskalizuar. Sektori i hidrokarbureve është në regjimin automatik. Menjëherë në kohë reale printohet fatura dhe transmetohet”, u shpreh Viro.

Por, i ashpër ka qenë edhe reagimi i deputetit socialist Erion Braçe, i cili u shpreh se, “Ai është një sistem automatik që është verifikuar disa herë që kanë shpikur metoda që të mos jenë fare në sistemin automatik. Sektori më strategjik i vendit ku bëhet xhiro më e madhe nuk është në atë sistem”.

Edhe anëtarët e opozitës në komision shprehën kritika për procesin. Sipas deputetit të PD-së Arbi Agalliu sistemi nuk është i sigurt. “Në një situatë ku kemi skandalin më të madh në raport me rrjedhjen e informacionit ne nuk mund të shkojmë në fiskalizim pa u konsoliduar sistemet. Si mund të jetë sistemi i konsoliduar kur e gjithë databaza del për 20 mijë lekë, imagjino çfarë mund të bëjë ai individ për më tepër para”, u shpreh ai. Deputeti Edmonod Spaho kundërshtoi përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, duke u shprehur se “Tatimet janë në kaos! Jemi përpjekur të ngremë sisteme, por nuk kanë prodhuar rezultat. Ka një tregues që tregon se nuk funksion sistemi. Sa mbledhin në raport me prodhimin e brendshëm. Sistemi tatimor shqiptar operon mbi forcë dhe mbi rregulla dhe ligje”.

Debati

Erion Braçe: Dua të di a ka hyrë fiskalizimi në tregtimin me shumicë të naftës dhe gazit? Në sistemin e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore ka hyrë fiskalizimi?

Vasilika Vjero: Lidhur me pyetjet që bëri z. Braçe për naftën, gazin dhe hidrokarburet në ligj ne nuk kemi përjashtim për asnjë sektor. Ky është një sektor që duhet të jetë i fiskalizuar dhe nëse kompanitë nuk janë të fiskalizuara i takon administratës detyra për të verifikuar dhe penalizuar tatimpaguesit që nuk e kanë kryer procesin e fiskalizimit.

Erion Braçe: Më fal, se nuk e kuptova. Ka ndodhur procesi i fiskalizimit në këtë pjesë të tregut apo jo?

Vasilika Vjero: Ne nuk kemi raportime nga administrata që nuk janë të fiskalizuara. Unë nuk kam ndonjë informacion sot.

Erion Braçe: Ka ndonjë të tatimeve nga ju këtu sot që ta kuptojmë ne meqë qeveria nuk komunikon dot me tatimet kur vjen në komision? Edhe të thotë çfarë ka ndodhur?

Vasilika Vjero: Në bazë të ligjit z. Braçe nuk janë të përjashtuar dhe duhet të jenë të fiskalizuar siç janë të gjitha kompanitë në të gjitha fushat e tjera në të gjithë sektorët.

Erion Braçe: Edhe njëherë! Ka ndodhur apo nuk ka ndodhur?

Vasilika Vjero: Mendoj që ka ndodhur!

Erion Braçe: Ju mendoni që ka ndodhur fiskalizimi në sektorin e hidrokarbureve.

Vasilika Vjero: Po, patjetër! Ata janë edhe në regjimin automatik!

Erion Braçe: Faleminderit!

Alban Xhelili: Jo, jo, ka të drejtë z. Braçe.

Vasilika Vjero: Nëse nuk ka ndodhur një proces i tillë atëherë duhet ta rakordojmë me administratën tatimore!

Eduart Shalsi: Një sekondë ju lutem! Znj. Viro vijoni t’u përgjigjeni pyetjeve ne mbajmë shënim dhe pastaj secili ka të drejtë të bëjë komente e tij.

Vasilika Vjero: Pra, procesi i fiskalizimit është një proces që nuk përjashton asnjë sektor, duke përfshirë këtu edhe atë të hidrokarbureve. Ne nuk kemi të dhëna nga administrate tatimore që të tregojë se ky sektor është i pafiskalizuar. Sektori i hidrokarbureve është në regjimin automatik. Menjëherë në kohë reale printohet fatura dhe transmetohet.

Erion Braçe: Kjo është tjetër gjë. Nuk po pyes për një sistem automatik që është verifikuar disa herë që kanë shpikur metoda që të mos jenë fare në sistemin automatik. Sektori më strategjik i vendit ku bëhet xhiro më e madhe. Por, të pyeta për tjetër gjë! Dua të di arsyet pse nuk fiskalizohet ky sektor.

Vasilika Vjero: Unë nuk e kam këtë informacion që nuk është i fiskalizuar.

Vasilika Vjero: Sa i përket fiskalizimit të fermerëve, edhe ky sektor është i fiskalizuar. Nuk ka arsye pse të mos jetë i pafiskalizuar. Ne nuk kemi raportime! Bëhet fjalë për grumbullues të cilët janë tatimpagues të mëdhenj, procesi i fiskalizimit të tyre ka përfunduar që në fund të muajit dhjetor. Që në fund të muajit dhjetor, të gjitha bizneset e mëdha janë të fiskalizuara. Nëse bëhet fjalë për bizneset e vogla apo fermerët dhe kjo kategori duhet të jetë e fiskalizuar. Duke qenë se ne kemi evidentuar një numër që ende nuk kanë hyrë në këtë proces, atëherë ju kemi dhënë kohë dhe gjashtë muaj që të mos fillojë penalizimi. Në sistem ekzistojnë të gjitha zgjidhjet edhe për autofaturën, pra ka parashikuar çdo gjë. Cilido biznes, i madh apo i vogël mund të përdorë platformën e fiskalizimit. Kujtomë që për biznesin e vogël me të vetë punësuar kemi një platformë pa kosto financiare. Akti normativ sjell lehtësi për këtë kategori biznesesh në mënyrë që deri në fund të qershorit të gjithë të jenë të fiskalizuar. Sa i përket certifikatave elektronike, në afat kohor do të duhet të lëshohen brenda 48 orëve nga AKSHI-ja. Por nuk është problem i Agjencisë Kombëtare të Informacionit, por tatimpaguesit aplikojnë për certifikata në momentin e fundit. Nëse në ditën e fundit aplikon një fluks shumë i madh, patjetër që dhe procesi i marrjes së certifikatave do të vonohet. Por, biznesi i madh është i gjithi i pajisur me certifikata. Ka filluar procesin e fiskalizimit biznesi i vogël vetëm 30 për qind nuk është i pajisur me certifikata dhe nuk ka filluar procesin e fiskalizimit dhe 70 për qind e bizneseve e kanë filluar këtë proces.

Arbi Agalliu: Znj. zëvendësministre unë e quaj të pa etikë atë lloj përgjigje. Nuk mund të flasim në teori që ligji e kërkon dhe ai duhet ta zbatojë. Pyetja ishte shumë e qartë! Të thoni që nuk kam informacion nuk shkon, sepse është institucion në varësinë tuajën. Të vini në komision duke mos pasur informacion për sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë do të thotë që ose je palë, ose nuk flet dot! A është apo jo i fiskalizuar sektori i hidrokarbureve. Në një situatë ku kemi skandalin më të madh në raport me rrjedhjen e informacionit ne nuk mund të shkojmë në fiskalizim pa u konsoliduar sistemet. Si mund të jetë sistemi i konsoliduar kur e gjithë databaza del për 20 mijë lekë, imagjino çfarë mund të bëjë ai individ për më tepër para.

Vasilika Vjero: Kushdo që merr një faturë duhet të shoh nëse ajo është e fiskalizuar apo jo! Nëse jo të na ndihmojë edhe ne në përmirësimin e kontrollit ndaj subjekteve.

Edmond Sapho: Po nuk funksionuan tatimet dhe sistemi nuk do mbledhim para! Për mendimin tim tatimet janë në kaos! Jemi përpjekur të ngremë sisteme por nuk kanë prodhuar rezultat. Ka një tregues që tregon se nuk funksion sistemi. Sa mbledhin në raport me prodhimin e brendshëm. Sistemi tatimor shqiptar operon mbi forcë dhe mbi rregulla dhe ligje.

Erion Braçe: Fiskalizimi nuk është as kleçkë, as hall i imi! Këtu e dinë të gjithë që procesi i fiskalizimit për sektorin e shitjeve me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve ka një VKM të posaçme që e rregullon, e cila nuk po zbatohet. Ky është problemi! Nuk po zbatohet jo për shkak të kompanive të karburantit por për shkak të një koncensionari që do të bëjë monopol gjithçka. Pra një koncensionar që i bëri shantazh shtetit për muaj të tërë për të mosjeluar të nxirrte atë VKM që nxori. Prandaj, sot nuk ka fiskalizim.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.