Organet e vetingut/ Flet ekspertja Aurela Anastasi: ‘Venecia’ e ka shprehur qartë, mandati i KPK-së mund të zgjatet vetëm nëse procesi i vlerësimit s’është përfunduar për…








aurelaanastasi

ARISTIR LUMEZI/ Konstitucionalistja e njohur, prof. Aurela Anastasi, eksperte e Reformës në Drejtësi, shprehet se Komisioni i Venecias e ka qartësuar çështjen e mandatit të organeve të vetingut.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Anastasi shprehet se ka qenë Komisioni i Venecias që në hartimin e Reformës në Drejtësi përcaktonte se “mandati i KPK-së mund të zgjatet vetëm nëse procesi i vlerësimit s’është përfunduar për arsye objektive”.

Kalimi i vetingut te KLGJ-ja dhe KLP-ja për gati gjysmën e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, sipas zonjës Anastasi, “në situatën në të cilën ndodhemi me mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi, këto organe nuk kanë mundësi të kryejnë as me efikasitet, as me shpejtësi rivlerësimin e gjyqtarëve e të prokurorëve”.

Duke folur për propozimin e Partisë Demokratike për vetingun e politikanëve, zonja Anastasi tha se ka mjaft pikëpyetje nëse SPAK do të përmbushte këto standarde. “SPAK është krijuar si organ i hetimit dhe ndjekjes penale, por mbi bazën e amendamenteve që paraqiten i duhet që të veprojë në të njëjtën kohë, edhe si organ administrativ i pavarur, quasi gjyqësor”, paqartësi që mund të krijojë probleme edhe me Kushtetutën.

PS depozitoi në Kuvend draftin për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut për një periudhë 2-vjeçare. Mendoni se nuk ka pasur një studim të plotë për t’i përcaktuar një mandat më të gjatë këtyre organeve deri në përfundimin e plotë të vetingut të gjyqtareve dhe prokurorëve?

Anastasi: Çështja e përcaktimit të afatit për organet e rivlerësimit ka qenë objekt i gjerë diskutimi përgjatë Reformës në Drejtësi. E gjithë vëmendja u përqendrua në vendosjen e një afati sa më të shkurtër, pasi Komisioni i Venecias e konsideroi një proces “rigorozisht të përkohshëm”. Më shumë sesa një rezultat i përllogaritjeve të sakta, vendosja e mandatit kohor 5-vjeçar ishte rezultat i parimit të përkohshmërisë, duke marrë parasysh vërejtjet e Komisionit të Venecias në raportin e ndërmjetëm për ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Komisioni i Venecias theksoi se “mandati i KPK-së mund të zgjatet vetëm nëse procesi i vlerësimit nuk është përfunduar për arsye objektive (p.sh., nuk kanë kaluar në të të gjithë gjyqtarët)”.

Nga kjo pikëpamje, mendoj se ka pasur disa pengesa objektive që kanë sjellë vonesa të mëdha dhe aktualisht ka mbetur ende pa u rivlerësuar më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. Nga ana tjetër, shqetësimi i arsyeshëm se “mundësia për zgjatjen e mandatit mund të ndikojë pavarësinë e komisionerëve”, merr njëfarë qetësimi me faktin se zgjatja e mandatit bëhet vetëm përmes amendamentit kushtetues me shumicën e cilësuar prej 2/3 të anëtarëve të Kuvendit. Kjo presupozon edhe votimin e opozitës medoemos.

Nëse nuk arrihet të votohet ky draft me 93 vota, cili do të jetë fati i këtyre organeve?

Anastasi: Kur u vlerësua që parimet dhe strukturat kryesore të organizimit të procesit të vetingut të vendoseshin në një shtojcë aneks të Kushtetutës, u mbajt parasysh që të kishte një konsensus të gjerë politik dhe një kontroll të opozitës. Prandaj, ky amendament i dispozitave kalimtare duhet të miratohet gjithashtu, me amendament kushtetues në dispozitat kalimtare, me shumicën 2/3 të Kuvendit. Përndryshe, mandati i KPK-së dhe komisionerëve publikë do të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm dhe nëse do të ishte kështu, këto organe konsiderohen të shpërndara. Më tej, procesi i rivlerësimit do të kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, sikurse parashikon dispozita kalimtare në Kushtetutë.

Do të jetë e mundur që KLGJ-ja dhe KLP-ja të kryejnë përveç funksioneve që u përcakton ligji, të bëjnë me eficencë vetingun për gati gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar atë?

Anastasi: Unë mendoj se në situatën në të cilën ndodhemi me mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi, këto organe nuk kanë mundësi të kryejnë as me efikasitet, as me shpejtësi rivlerësimin e gjyqtarëve e të prokurorëve. Të gjitha komisionet e krijuara pranë tyre janë mjaft të angazhuar me detyrat e zakonshme kushtetuese dhe ligjore. Kur parashikuan kalimin e rivlerësimit të subjekteve te këto organe, kushtetutëvënësi parashikoi se mund të mbeteshin pa u rivlerësuar një numër fare i vogël subjektesh, sidomos këshilltarët dhe ndihmësit.

Por në fakt, mbetet më shumë se gjysma e subjekteve pa përfunduar. Aktualisht, me ngarkesën e përditshme që kanë këto organe, unë mendoj se do të duhet një kohë shumë e gjatë për të rivlerësuar një numër kaq të madh gjyqtarësh e prokurorësh. Kam vërejtur që edhe vlerësimi paraprak që këto organe kryejnë për kandidatët për gjyqtarë ose studentët e magjistraturës zgjat shumë kohë. Pra, mendoj se kalimi i përgjegjësive të rivlerësimit kalimtar te KLGJ dhe KLP jo vetëm do të ngadalësojë këtë proces, por edhe do të ulë efektivitetin e rivlerësimit. Madje, ky kalim mund të ndikojë në ndryshimin e standardeve të kontrollit dhe vlerësimit, duke i bërë ato të ndryshme e të pabarabarta për gjyqtarët e prokurorët.

A bie ndesh me opinionin e Komisionit të Venecias 2018 për vetingun në politikë propozimi i përsëritur i PD-së?

Anastasi: Qëllimi i këtij procesi është vlerësuar atëherë nga Komisioni i Venecias si qëllim i legjitimuar në kushtet e parandalimit dhe të luftimit të korrupsionit në vend. Kjo konsideratë nuk ka ndryshuar. Madje, unë vlerësoj frymën mbytëse që po krijon Kushtetuta ndaj korrupsionit, si rezultat i masave që po zbatohen në kuadrin e Reformës në Drejtësi dhe masave që propozohen. Relacioni bashkëshoqërues i amendamenteve sqaron se ndërhyrjet e kryera kanë qëllim përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në opinionin e tij të viti 2018. Megjithatë, mendoj se një nga rekomandimet kryesore të Komisionit, që kërkonte përmbushjen e një procesi të rregullt ligjor, meriton të diskutohet thellësisht në kuadrin e dispozitave që propozohen.

Kështu, do të krijojmë një perceptim më të qartë sidomos mbi raportet që do të krijohen midis procesit të rivlerësimit të politikanëve dhe të drejtës së zgjedhjeve, veçanërisht të drejtës për t’u zgjedhur. Gjithashtu, ka nevojë të analizohet dhe diskutohet hollësisht mekanizmi gjyqësor që do të krijohet për të kryer këtë proces, pasi ai duhet të përmbushë standardet e nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuadër, ka mjaft pikëpyetje nëse SPAK do të përmbushte këto standarde. SPAK është krijuar si organ i hetimit dhe ndjekjes penale, por mbi bazën e amendamenteve që paraqiten i duhet që të veprojë në të njëjtën kohë, edhe si organ administrativ i pavarur, quasi gjyqësor. Kjo mund të shtronte shqetësime kushtetuese.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhet edhe me (pa)mundësinë praktike, pasi ka nevojë të sqarohet nëse ky organ arrin ta përballojë një ngarkesë të tillë apo jo. I gjithë procesi që parashikohet për kontrollin e integritetit të funksionarëve publikë vendoset në Kushtetutë në vijim të dispozitave për masat e jashtëzakonshme, në ndryshim nga vetingu i organeve të drejtësisë, i cili parashikohet në një aneks të Kushtetutës, që shfuqizohet automatikisht me përfundimin e afatit të organeve të tij. Ka një ndryshim të rëndësishëm midis të dyja rivlerësimeve, sepse kontrolli i integritetit të funksionarëve publikë propozohet të parashikohet në Kushtetutë, jo vetëm si një proces i përkohshëm, por edhe i përhershëm. Pra, ai shndërrohet në një praktikë të zakonshme ligjore. Kjo e vështirëson lidhjen e tij me masat e jashtëzakonshme të parashikuara në Kushtetutë.

Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve u parashikua në aneksin e Kushtetutës shprehimisht si një proces i jashtëzakonshëm dhe i përkohshëm. Aneksi i Kushtetutës parashikoi një makineri të re të organeve që do të kryenin rivlerësimin, të cilat janë organe të veçanta nga ato ekzistuese. Organet që propozohen të kryejnë “vetingun e politikanëve” janë organe të krijuara dhe që funksionojnë aktualisht mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjeve. Vetingu i zakonshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve parashikohet nga ligjet e posaçme në kuadrin e kontrollit ndaj kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë dhe kontrollit periodik të zakonshëm të gjyqtarëve e prokurorëve. Në këto rrethana, paraprakisht, unë mendoj se nuk është e nevojshme që ky proces të parashikohet hollësisht në Kushtetutë.

Kjo e fundit mund të ketë një dispozitë që të shprehë angazhimin e saj për këtë proces dhe lejimin që ky proces të kryhet me ligj. Edhe Komisioni i Venecias ne opinionin e tij e shtronte nevojën e përgatitjes së projektligjit me qëllim që të gjykonte më mirë për procesin e rregullt ligjor. Sidoqoftë, këto dispozita kanë nevojë për një proces mjaft të gjerë dhe të thellë konsultimi, jo vetëm në kuadrin politik, por edhe qytetar. Kështu, p.sh., unë do të sugjeroja që në këtë kuadër të diskutohej edhe përmirësimi i legjislacionit që rregullon partitë politike, pasi pastërtia e figurës së funksionarëve publikë është plotësisht e lidhur me mënyrën se si krijohen dhe funksionojnë partitë politike te ne. Disa detyra të kontrollit të figurës mund të kryhen edhe në legjislacionin e posaçëm për partitë politike.

Komisioni i Venecias, siç e dini, dha opinionin e saj lidhur me legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar zgjedhjet në Shqipëri. Mendoni se ishte një lapsus i Gjykatës që adresoi një pyetje të tillë në Venecia?

Anastasi: Gjykata Kushtetuese pati kohë të formulonte pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias për opinion. Prandaj, unë nuk gjykoj që ishte një lapsus i saj, por ndoshta mund të ketë qenë një vendim i marrë nën një diskutim të tensionuar midis gjyqtarëve dhe midis tyre e përfaqësuesve të subjekteve në proces. Është i njohur tensioni që krijohet gjatë gjykimit të çështjeve me ndjeshmëri të lartë politike, sidomos kur është fjala për zgjedhjet. Gjykata ndjen një përgjegjshmëri të lartë kur gjykon çështje të kësaj natyre, prandaj është e arsyeshme që të kërkojë opinione të ekspertëve dhe miqve të Gjykatës. Megjithatë, në këtë rast patëm edhe pyetje të përsëritura, pra pyetje për të cilat në një mënyrë ose tjetër kishim më parë një përgjigje. Sidoqoftë, aspektin pozitiv unë e shoh te përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese për të qenë objektive dhe për një vendimmarrje të bazuar mirë. Ndërkohë, Gjykata ka dhënë disa vendime të rëndësishme në këtë fushë, të cilat do të ndikojnë qartazi Kodin Zgjedhor në zgjedhjet vijuese.

“Venecia” në mënyrë të përsëritur e cilësoi zhdekretimin e 30 qershorit 2019 nga Presidenti i Republikës si antikushtetues. Tani që Kushtetuesja ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, bashkë me argumentet e paraqitura, a na kujton ky opinion i Venecias se Presidenti ka kryer shkelje që mund ta çojnë në shkarkim?

Anastasi: Kjo çështje ka qenë më parë objekt shqyrtimi, por atëherë Kuvendi nuk konkludoi për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Aktualisht, një vendim të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës është duke u gjykuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili është bazuar në arsyetime e argumente të tjera. Opinioni i ri i Komisionit të Venecias, i cili risjell në vëmendje shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, do të ishte vështirë të përfshihej në këtë gjykim. Duket proceduralisht e vështirë ringritja e kësaj çështjeje përpara Gjykatës Kushtetuese në këtë fazë, pasi kërkon mandat nga Kuvendi.

Duke perifrazuar opinioni e Venecias, që zgjedhjet edhe kur janë pluraliste mund të mos jenë demokratike ose anasjelltas, a legjitimohen zgjedhjet vendore të 2019- ës si demokratike ku në to mori pjesë vetëm Partia Socialiste?

Anastasi: Për këtë presim vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që mendoj është se vendimi do të jepet duke mbajtur parasysh rrethanat e krijuara në këtë rast. Mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk do të legjitimojë bojkotimin e zgjedhjeve dhe do të kërkojë ndjekjen e procedurave ankimore të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Natyrisht, nuk do të legjitimojë as pengesa që mund të krijohen nga qeveria për pjesëmarrjen e subjekteve elektorale, nëse evidenton të tilla.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *