
23:53 20/04/2022
Një grua e moshuar, e cila i ka mbijetuar Holokaustit ka vdekur për shkak të mungesës së furnizimeve thelbësore jetësore në një bodrum në Mariupol. Këtë lajm e ka bërë të ditur e bija e saj.
91-vjeçarja Vanda Semyonovna Obiedkova ishte strehuar në një bodrum pa ngrohje kur ndërroi jetë më 4 Prill.
Më shumë se 80 vjet më parë ajo ishte fshehur në një bodrum gjatë pushtimit nazist të Mariupolit. Kësaj here, ajo po strehohej nga forcat ruse që kanë bombarduar qytetin dhe si pasojë janë ndërprerë furnizimet thelbësore.
“Mamaja nuk e meritonte një vdekje të tillë. Nuk kishte ujë, energji elektrike, ngrohje dhe ishte një i ftohtë i papërballueshëm”, tha Larissa, e cila ishte në bodrum duke u fshehur me nënën e saj.
“Nuk mund të bënim asgjë për të. Ne jetonim si kafshë. Sa herë që binte një bombë, e gjithë ndërtesa dridhej. Nëna ime vazhdonte të thoshte se nuk mbante mend diçka të tillë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tregon mes dhimbjes e bija./tvklan.al