“Paga e mësuesve do rritet me 40%” – Rama në prezantimin e buxhetit për arsimin, paralajmëron “skanim”: Kemi drejtues shkollash që janë aut, kush nuk e meriton duhet të hapë krahun








Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për arsimin, njoftoi se objektivi maksimal i qeverisë gjatë mandatit të tretë në lidhje me pagat e mësuesve është që ajo të kapë shifrën e 40%.

edi rama drejtoret e shjkollave

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë vlerësoi dhe punën e bërë në lidhje procesin e rekrutimit të mësuesve, ku sipas tij, ky sistem është tashmë i konsoliduar dhe bëhet në bazën e meritokracisë dhe jo lidhjeve politike e farefisnore apo edhe ryshfetit.

“Dua të theksoj se në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit. Mandati i tretë është që pagat të rriten edhe 32%, por mundësisht të realizojmë dhe rritjen deri në 40%. Kjo lidhet dhe me atë çka ne nuk e dimë dhe mund të na shfaqet përpara. Mesatarja e pagës bruto të mësuesve është shumë më e lartës sot se sa kur ne filluam bashkëpunimin së bashku. Edhe viti i ardhshëm do të ketë një rritje të pagës, po ashtu dhe viti pasues do të jetë i njëjtë, në aspektin e rritjes së pagës për ju. Vlen të theksohet po ashtu dhe rritja e mbështetjes së buxhetit për arsimin, siç është transporti që mbetet problematik në jetën e atyre mësuesve dhe nxënësve të cilët duhet të lëvizin në një distancë të caktuar nga vendbanimi i tyre. Thënë të gjitha këto, pa diskutim që nuk e diskuton njeri që sot është hedhur një bazë e fortë në mbrojtjen e mësuesve nga politika dhe forca e ryshfetit. Gjë që ka qenë një konstante e pandryshueshme për vite të tëra deri në momentin që është konsoliduar sistemi i ri i rekrutimit të mësuesve. Nga njëra anë që mësuesit të mos spostohen pa pritur e pa kujtuar nga tekat e atyre që thashë më parë dhe për t’u dhënë një garanci që puna e tyre varet nga merita dhe jo nga lidhjet farefisnore”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri paralajmëroi një “skanim” të drejtorëve të shkollave, duke pranuar se edhe pas 8 vitesh në qeveri ka ende drejtues që janë aut. Ai u shpreh se ata që nuk e meritojnë duhet të hapin krahun.

“Duhet bërë një skanim i plotë, objektiv, i drejtë i të gjithë aftësive të drejtuesve të shkollave dhe kush e meriton duhet përshëndetur, e kush nuk e meriton duhet të hapë krahun për t’ia lënë vendin dikujt tjetër. Të mos harrojmë që për vite Ministria e Arsimit u drejtua nga burra me grada, por periudha e suksesit më domethënës e Ministrisë së Arsimit është periudha kur u drejtua nga dy zysha, nga Lindita dhe nga Evisi, që jam i bindur do të bëjë shumë, njësoj si Lindita. Duhen gjetur aty te mësueset në çdo shkollë drejtueset që duhet të zëvendësojnë këta burra që e kanë mbaruar misionin me kohë dhe me vakt. Ne s’kemi bërë shumë në raport me të shkuarën për drejtimin e shkollave. Kemi drejtues shkollash që nuk e meritojnë të drejtojnë shkollat, që janë nën nivelin e pjesës më të madhe të mësueseve. Kemi drejtues shkollash që janë aut, aut, dhe këtu është e qartë për mua, për ministren, duhet të jetë shumë e qartë për drejtorinë e përgjithshme që duhet ndërhyrë në mënyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht. Drejtuesve që u ka kaluar me kohë e me vakt koha të largohen. Dhe në drejtimin e shkollave s’ka rëndësi ça bindjesh politike ke, se nga je, ça statusi financiar ka bashkëshorti ose se çfarë lidhjesh ka familja, rëndësi ka aftësia dhe merita”, tha Rama.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.