Pagat po rriten, por shqiptarët po bëhen më “dembelë”. Shtohet inaktiviteti në tregun e punës

pagat po rriten por shqiptaret po behen me dembele shtohet inaktiviteti ne tregun e punes

Treguesit e punësimit në 3-mujorin e fundit të vitit 2023 zbuluan simptoma të përkeqësuara të dembelizmit për popullsinë në moshë pune.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tetor-dhjetor të vitit të kaluar inaktivittei në tregun e punës shënoi rritje vjetore me 3,1% në popullsinë e grupmoshës 15-64 vjeç. Kjo ishte rritja e parë pas një tendence rënëse të normave të “dembelizimit” që nga 3-mujori i parë i vitit 2021 (shiko grafikun më poshtë).

Mbi 464,055 persona të moshës 15-64 vjeç nuk janë në punë dhe as nuk janë në kërkim të punës. Ko kategori u zgjerua me mbi 15 mijë persona gjatë një viti, duke e çuar drejt rritjes një fenomen që po ulej me shpejtësi nga presionet që sollën ofertat në rritje në tregun e punës.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se është përkeqësuar ndjeshëm papunësia afatgjatë. Në 3-mujorin e tretë të vitit të kaluar, rreth 73% e personave joaktivë në tregun e punës ishin të papunë afatgjatë.

INSTAT raportoi se gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2023, 16,1% e popullsisë ekonomikisht joaktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 9,2 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 12,6 % në paaftësi të përhershme.

Në të njëjtën periudhë, 4,6% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,6% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht joaktivë, 1,4%, klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 15,8% të popullsisë ekonomikisht joaktive të kësaj grupmoshe.

Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (pra, nxënës/studentë, shtëpiakë, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar).

Rritja e personave joaktive në tregun e punës, erdhi në një kohë kur tregjet e punës janë të tendosura dhe disa sektorë si turizmi, ndërtimi etj, po kontraktojnë punonjës të huaj nga Azia dhe Afrika.

Pagat u rritën

Inaktiviteti në tregun e punës është rritur pavarësisht se punonjësit po paguhen më mirë. Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se pagat janë rritur vazhdimisht vitet e fundit, të nxitura si nga paga minimale ashtu dhe nga presioni i emigracionit. Madje pagat e profesioneve elementare po rritet më shpejt se të atyre me arsim të lartë.

Në fund të vitit 2023, Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 69.4 mijë lekë, nga 62.2 mijë lekë në fund të 2022-t, me rritje gati 12%. Ndërsa në shtet paga mesatare arriti në 87.8 mijë lekë, nga 74.4 mijë lekë një vit më parë, ose 18% më shumë.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e fundit të vitit, punonjësit me profesione elementare kishin rritjen më të madhe të pagës nominale mujore bruto me rreth 16% në tremujorin e fundit të vitit 2023 në krahasim me 3-mujorin e fundit të vitit 2022.

Rritjet më të larta me ritme dyshifrore të pagave ishin edhe në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve me rreth 15%. Në këto sektor, pjesa më e madhe e punonjësve përfaqësohet nga shitësit në tregtinë me pakicë dhe nga punonjësit e hoteleve dhe restoranteve, kryesisht kamarierë, banakierë dhe pastrues.

Më tej, rritja më e lartë ka qenë e pranishme në sektorin e industrisë automative dhe në sektorin e bujqësisë me mbi 13% nga tremujori i katërt 2022 në të katërtin e 2023.

Në kontrast, pagat e punonjësve me arsim të lartë dhe profesionisteve u rritën në të njëjtën periudhë me 11%, ndërsa pagat në sektorin e ushtrisë kishin rritje më të ulët me rreth 10.6%. Pagat në forcat e armatosura kishin një rritje më të lartë në vitin 2022.

pagat po rriten por shqiptaret po behen me dembele shtohet inaktiviteti ne tregun e punes
Burimi: INSTAT/Monitor
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts