Pakistani refuzon lejimin e ushtrisë amerikane të përdorë bazat e saj

Ministri i jashtëm i Pakistanit Shah Mahmood Qureshi konfirmoi se vendi i tij nuk pranoi t’i japë asnjë bazë ushtarake SHBA-së për monitorimin e Afganistanit pas tërheqjes së forcave të huaja nga Kabuli, theksuan mediat lokale.

Duke folur për Geo News, një transmetues lokal, Qureshi tha se qeveria e tij, e udhëhequr nga kryeministri Imran Khan, nuk ka ndërmend t’i japë bazat e saj ushtarake Washington-it.

“Kërkimi i bazave mund të jetë dëshira e tyre. Nuk ka diskutim për t’u dhënë atyre baza, ne duhet të shohim interesin tonë”, tha Qureshi për transmetuesin lokal.

Qureshi po i përgjigjej një lajmi të fundit nga “The New York Times”, që citonte zyrtarë amerikanë duke thënë se “Pakistani dëshiron të lejojë hyrjen e SHBA-së në një bazë për sa kohë që mund të kontrollojë si të përdoret”, duke shtuar se “opinioni publik në vend ka qenë fuqimisht kundër çdo pranie të ripërtërirë nga Shtetet e Bashkuara”.

Disa zyrtarë amerikanë theksuan se negociatat me Pakistanin kanë arritur në një ngërç për momentin. Të tjerët theksuan se opsioni mbetet në tryezë dhe një marrëveshje është e mundur, tha e përditshmja amerikane në raportin e saj të botuar të dielën.

Lajmi gjithashtu pohonte se drejtori i CIA-s William J. Burns bëri një vizitë të paparalajmëruar javët e fundit në Pakistan, ku ishte takuar me shefat e ushtrisë dhe inteligjencës së këtij vendi. Sidoqoftë, deri më tani nuk ka asnjë fjalë zyrtare nga Islamabadi.

Muajin e kaluar, Qureshi i tha Dhomës së Sipërme të Parlamentit të vendit se nuk do të ketë asnjë bazë amerikane në tokën e Pakistanit.

“Ne nuk do të lejojmë përdorimin kinetik të dronëve, as nuk jemi të interesuar të monitorojmë dronët tuaj. Kjo është një politikë shumë e prerë e kësaj qeverie”, tha kryediplomati.

“Harrojeni të kaluarën”, shtoi ai, duke iu referuar ngritjes së raportuar të një baze amerikane në Pakistan gjatë Luftës së Ftohtë kundër ish-Bashkimit Sovjetik dhe më vonë gjatë të ashtuquajturës luftë kundër terrorizmit në Afganistan. Sidoqoftë, Pakistani më vonë i mbylli ato baza për ushtrinë amerikane.

Sipas mediave amerikane, pas refuzimit të Pakistanit, Washington-i po eksploron opsionet për të marrë baza në Azinë Qendrore pranë kufirit me Afganistanin. Megjithatë, Rusia mund ta kundërshtojë këtë.​​​​​​​//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *