‘Para vetes sime nuk vë as PD e as demokratët’, Basha rrëfen bisedat pas vendimit të SHBA, Berisha: Kuvendi do ta shkarkojë









Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha dje se nga SHBA kishte kërkesë ultimative për largimin e Sali Berishës nga Parlamenti dhe distancim të PD-së prej tij.

BErisha-Basha-1

I ftuar në emisionin “Open”, Basha ka zbuluar një bisedë me ish-Kryeministrin Berisha pas shpalljes së tij “non grata”. Sipas kryedemokratit, Berisha i ka thënë se përpara vetes nuk e vendos PD-në dhe as demokratët.

“Guxoj të them, pa iu larguar modestisë, nuk ka pasur njeri tjetër që të arrinte nga ultimatumi i distancimit të Berishës nga Parlamenti dhe partia, te pezullimi nga Grupi Parlamentar si një zgjidhje. Ajo që ka rëndësi. PD nuk u përça për shkakun tim. Sali Berisha e di fare mirë pasi ia kam thënë në sy dhe ma ka thënë në sy. Më ka thënë në sy që përpara vetes nuk vendos as PD-në dhe as demokratët dhe i kam thënë në sy që unë do të marr vendimet e mia si kryetar i PD-së. Përgjigja e tij ka qenë se ti merr vendimet e tua, unë marr vendimet e mia”, tha Basha.

Pavarësisht akuzave dhe kundërakuzave mes Lulzim Bashës dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, kryedemokrati e ka cilësuar një ditë dramatike vendimin që mori për përjashtimin nga Grupi Parlamentar. Kryedemokrati deklaroi se vendimin për përjashtimin e Berishës e ka parë si një zgjidhje për të mos përçarë Partinë Demokratike.

“Ndryshe nga Berisha, unë nuk kam shkelur dhe as nuk kam ndërmend të shkel mbi arritjet e përbashkëta të cilat kanë qenë për shqiptarët, duke i parë edhe në prizmin që ai na ka vendosur edhe në dritëhijet, dëmet dhe problemet që kemi shkaktuar gjatë qeverisjes sonë, por mos të shohim të djeshmen me sytë e interesit të sotëm. Më 9 shtator unë mora një vendim bazuar në statutin e miratuar në kohën që Berisha ishte. Mund t’ju them sot që ka qenë një ditë dramatike për demokratët dhe për mua personalisht. Një marrëdhënie 16-vjeçare qoftë si kreu i PD-së, qoftë si bashkëpunëtor me të, askush tjetër nuk ka bashkëpunuar më afër nga të gjithë demokratët dhe për këtë arsye. Kjo u bë që të shmangte koston e demokratëve”, tha Basha.

RAPORTET ME BERISHËN

Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se shpeshherë ka mbrojtur interesat e liderit historik të PD-së, duke lënë pas interesat e tij.

“Po iu them edhe një herë: 8 vite kryetar i Partisë Demokratike, me dhjetëra herë jam vendosur përballë interesit personal të Sali Berishës, le të themi sedrës apo interesit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kam zgjedhur çdo radhë anën e tij. S’e kam thënë asnjëherë, po e them sot, ky nuk është një moment i tillë. Ky është momenti ku duhej të ishin o interesat e tij personale, ose vetë ekzistenca e Partisë Demokratike. Dhe kjo është ajo që ju përpiqeni të anashkaloni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo thjesht shpallën ‘non grata’ Sali Berishën, po vunë një vij të kuqe për Partinë Demokratike. Kam vendosur të mos pështyj në 16 vite bashkëpunim me Berishën. Unë i kam qëndruar atyre që kam thënë, por Berisha jo. Mund të kishte një sërë rezultatesh, mund të kishte skenarë, i pari një parti gjysmë për gjysmë, do të kishte një përçarje e cila do të kërcënonte partinë, largimin me vulë të Berishës. Largimin e një kryetari aktual, çfarë do të zgjidhte kjo? Nuk ka person tjetër që ka kultivuar marrëdhëniet me aleatët që të arrinte në ultimatum si një zgjidhje deri në plotësimin e vendimit të gjykatës. Ai ma ka thënë edhe në sy se para vetes nuk vë as partinë e as demokratët”, tha Basha.

Dosjet “Muzin” dhe “Toyota” Kryetari i PD-së iu përgjigj edhe akuzave të Sali Berishës, i cili e akuzonte se e kishte gënjyer për financimin e lobimit në SHBA përmes çështjes “Muzin”, por dhe dyshimet si i përfshirë në transferimin e 3.5 milionë eurove me makinat “Toyota”. “Po të mos ishte tragjike, do të ishte shumë komike, nuk janë të vërteta, faktet janë publike, mjafton t’i referoheni arkivit tuaj, kam dhënë dëshminë e plotë për këtë çështje, edhe për çështje që nuk janë deklaruar në publik. Kjo është pjesë e fabulës të pas 9 shtatorit. Pyetja është me çfarë më mban peng mua Rama. Dosja ‘Muzin’ nuk ekziston. Berisha më tha se jam peng. Pse qenkam unë peng i Edi Ramës. Nuk ka pasur asnjë transfertë të jashtëligjshme, janë trillime pas më shumë se një viti rrinte një shkresë e Departamentit të SHBA-së se nuk ka procedim të fshehur. Dosja ‘Muzin’, e dyta është ‘Toyota Yaris’. Kam marrë vendimin në të mirën e demokratëve. Të ishte për karrigen time, merrja vendim tjetër”, tha Basha.

DJEGIA E MANDATEVE

Kryedemokrati tha se vendimi për djegien e mandateve është kërkuar nga Sali Berisha, por është marrë në mënyrë kolegjiale nga forumet e PD-së dhe aleatët e saj.

“Unë e kam shpjeguar fare qartë edhe para, edhe pas 9 shtatorit. Dualizmin që është perceptuar nga publiku i gjerë. Hedh poshtë ato që thotë aty. Janë trillime të pastra. Janë gënjeshtra. Ajo pjesë është trillim. Nuk jam ankuar asnjëherë unë. Kur ka qenë për të mbajtur mbi shpatulla atë që më vinin, e kam mbajtur. Protagonizmi i tij i tepruar është perceptuar ndryshe nga publiku i gjerë si një dualizëm. Vendimet sa i takon djegies së mandateve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje janë kërkuar me ngulm nga Berisha, por janë marrë në mënyrë kolegjiale me forumet e partisë dhe me aleatët. Edhe njëherë, vendimet e marra kanë qenë kolegjiale të forumeve të Partisë Demokratike. Ishin të konsultuara dhe ishin vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha. Zoti Berisha mund të thotë dhe 14 humbje, por ka dy palë zgjedhje parlamentare për të cilat raportet e OSBE/ODIHR kanë qenë të zeza: 2017 dhe 2021.

Analiza e vendimeve nuk bëhet me një pyetje. Unë po ju them që vendimet u morën për të shkuar përtej Partisë Demokratike, për zgjedhje të parakohshme. Të çmontonim një pseudo-maxhorancë. Këtë nuk e realizuam. Qëllimi që u nisëm ishte fisnik, bëmë një sakrificë. Protestat nuk ndaluan, jo në formatin që ishin deri në 30 qershor. 15% e shqiptarëve dolën për të votuar. Objektivi politik i PD-së se 30 qershori ishte zgjedhje moniste u arrit. Në vitin 2021 ishte gjë tjetër. Pavarësisht mungesës së pushtetit lokal. Ne kemi performuar me të gjithë elementet e masakrës zgjedhore. Djegia e mandateve nuk u bë për t’i shërbyer vetes sonë. Ne kemi një detyrë për ata që përfaqësojmë”, tha Basha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.