Paralajmëron Biden: Lëvizja ekstremiste e ish-Presidentit Trump, kërcënim ndaj demokracisë

paralajmeron biden levizja ekstremiste e ish presidentit trump kercenim ndaj demokracise

Presidenti Joe Biden lëshoi paralajmërime të reja dhe të prera në lidhje me kërcënimet ekzistenciale të vazhdueshme ndaj demokracisë amerikane në një fjalim të madh të enjten, ndërsa sulmoi ish-paraardhësin e tij, Donald Trump. Biden iu kërkoi votuesve që t’i japin përparësi shëndetit të institucioneve amerikane.

“Ka diçka të rrezikshme që po ndodh tani në Amerikë,” tha Biden gjatë fjalimit të tij në Arizona, ku po nderonte edhe mikun e tij, Senatorin republikan të ndjerë John McCain. “Ka një lëvizje ekstremiste që nuk ndan bindjet themelore të demokracisë sonë: Lëvizja MAGA.”

“Nuk ka dyshim që Partia Republikane e sotme drejtohet dhe frikësohet nga ekstremistët republikanë MAGA”, tha ai, duke përdorur akronimin për lëvizjen politike të Trump. “Axhenda e tyre ekstreme, nëse realizohet, do të ndryshonte rrënjësisht institucionet e demokracisë amerikane siç e njohim ne.”, tha ai.

“Ne të gjithë duhet të kujtojmë se demokracitë nuk mund të vdesin vetëm nën trysninë e një arme”, tha zoti Biden. “Ato mund të vdesin edhe kur njerëzit heshtin, kur ata nuk arrijnë të ngrihen ose të dënojnë kërcënimet ndaj demokracisë, kur njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo që është më e çmuar, sepse ndihen të zhgënjyer, të lodhur, të tjetërsuar.”. Ndonëse zgjedhjet presidenciale do të mbahen pas një viti, kritikat e zotit Biden ndaj zotit Trump pasqyrojnë statusin e ish-Presidentit republikan si një kryesues i padiskutueshëm në zgjedhjet paraprake të partisë së tij, pavarësisht përballjes me katër padi, dy prej të cilave lidhen me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Fjalimi i presidentit ishte i katërti në një seri fjalimesh mbi atë që ai e sheh si kërcënim ndaj demokracisë, një temë e rëndësishme për atë ndërsa ai përpiqet të qëndrojë në detyrë për një mandat tjetër pavarësisht rënies së mbështetjes në sondazhet e fundit dhe shqetësimit të gjerë nga votuesit për moshën e tij. Ai është 80 vjeç. Ashtu si për fjalimet e mëparshme, vendi për fjalimin e së enjtes u zgjodh me synimin për të dhënë një efekt të posaçëm. Ai e mbajti fjalimin afër Universitetit Shtetëror të Arizonës, ku ndodhet selia e Institutit McCain, që mban emrin e senatorit të ndjerë, kandidatit republikan për president në zgjedhjet e vitit 2008, i cili gjatë gjithë karrierës politike ka denoncuar autokratët anembanë globit.

Presidenti tha se “nuk ka dyshim se Partia Republikane e sotme drejtohet dhe frikësohet nga ekstremistët e lëvizjes së udhëhequr nga zoti Trump. Ai vuri në dukje sugjerimin e fundit të zotit Trump që Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, i cili do të largohet nga posti të premten, duhet të ekzekutohet për gjoja tradhti ndaj tij ish-Presidentit republikan. “Edhe pse nuk besoj se shumica e republikanëve e ndajnë këtë mendim, heshtja është shurdhuese”, shtoi Presidenti Biden. Rivalët republikanë të zotit Trumpin, që po garojnë për të marrë emërimin si kandidat i partisë së tyre për president, kanë shmangur në masë të madhe sfidimin e pretendimeve të rreme për zgjedhjet dhe Presidenti Biden tha të enjten se votuesit nuk mund ta falin heshtjen e tyre.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts