
09:00 20/09/2021
Opozita ruse u kufizua në konkurrimin përballë Putin
Aktualisht partia Rusia e Bashkuar zotëron gati tre të katërtat e 450 vendeve të deputeteve në Duma dhe pritet të rikonfirmohet sërish ne pushtet.
Ky dominim e ndihmoi vitin e kaluar Kremlinin të miratojë me lehtësi reformat kushtetuese që i lejojnë Putinit që të kandidojë edhe për dy mandate si President pas vitit 2024, duke i siguruar pushtet të paktën deri në vitin 2036. Moska dhe 6 rajone të tjera miratuan votimin në internet, për të cilin kritikët thonë se është në thelb e pamundur të verifikohet.
Aleatët e opozitarit të burgosur Alexey Navalny u ndaluan që të konkurrojnë në këto zgjedhje pasi lëvizja e tij u konsiderua me ligj që në muajin Qershor si ekstremiste.
Qendrat e fundit të votimit pas tre ditësh u mbyllën në eksklavën ruse të Kaliningradit në kufi me shtetet balltike. Ka pasur raportime edhe që njerëzit kanë votuar disa herë, si dhe për mbushje me vota të kutive të votimit.
Ky proces zgjedhor u zhvillua bashkë me zgjedhjet lokale në disa rajone. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk dërgoi vëzhgues zgjedhorë në Federatën Ruse për herë të parë në gati tri dekada, për shkak të “kufizimeve të mëdha” të vendosura nga autoritetet.
Çmimet e larta të ushqimeve dhe rënia e të ardhurave reale të rusëve, kanë bërë që këto zgjedhje të ishin një test përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit në vitin 2024. Të ardhurat reale kanë rënë me 11 % që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, ndërsa 20 milionë njerëz, 1/7 e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Përfituesit më të mundshëm të pakënaqësisë së rusëve janë komunistët, partia e dytë më e madhe në Parlament. Ata kundërshtuan rritjen e moshës së pensionit në vitin 2018 dhe ndryshimet kushtetuese të Putinit vitin e kaluar.
Qeveria ruse ka akuzuar kompanitë amerikane të teknologjisë për “ndërhyrje”, kur ato refuzuan të fshijnë një aplikacion të “votimit të zgjuar”, të drejtuar nga interneti nga mbështetësit e kritikut të burgosur të Putinit, Alexei Navalny.
Kremlini i cilëson kërcënimet e huaja si pengesën kryesore për mbijetesën e vazhdueshme të regjimit aktual. Analistët thonë se synimi kryesor i Presidentit Putin është që të demonstrojë se nuk mund të ketë asnjë alternativë ndaj udhëheqjes së tij.
Klan News
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al