
13:37 31/05/2022
Kanadaja duhet të ndalojë plotësisht blerjen dhe shitjen e të gjitha pistoletave. Kështu ka deklaruar Kryeministri kanadez, Justin Trudeau qeveria e të cilit ka propozuar një ligj të ri që parashikon ngrirjen e pronësisë private për të gjitha armët e zjarrit me tytë të shkurtër.
Trudeau u tha gazetarëve se nevojiteshin masa të reja pasi dhuna me armë po rritej në vend.
“Këto janë veprime që mjekët, ekspertët dhe shefat e policisë kanë kërkuar prej vitesh dhe ne po veprojmë sipas këshillave të tyre”, tha ai.
Projektligji, i cili është prezantuar para Parlamentit të Kanadasë të hënën, e bën të pamundshme blerjen, shitjen, transferimin apo importimin e pistoletave kudo në shtet. Ky propozim vjen disa ditë pas të shtënave vdekjeprurëse me armë zjarri në një shkollë fillore në Teksas të Shteteve të Bashkuara, si pasojë e të cilëve humbën jetën 21 njerëz.
Kanadaja ka pasur shumë më pak ngjarje tragjike si ato në SHBA dhe kjo pjesërisht për shkak të mungesës së aksesit të lehtë në armë, megjithëse vlen të theksohet se popullsia e SHBA është gjithashtu shumë më e madhe se ajo e Kanadasë.
Klan News