Pas ngjarjeve të përgjakshme, Rama paralajmëron ndryshime në Polici! Gafa në rrjetet sociale e kreut të qeverisë, pak orë pas vrasjes poston pamjet e plazhit në Velipojë






MARIGLEN KUME/ Që në vitin 2013 kur erdhi për herë të parë në krye të qeverisë, Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një vëmendje të veçante komunikimit të tij me qytetarët përmes rrjeteve sociale.

rama-velipoje

Ndodh shumë rrallë që në faqen e tij të “Facebook”-ut të ketë defekte në aspektin e kuptimeve. Por, në fakt ditën e djeshme, kreu i qeverisë bëri një ndër gafat më të mëdha në rrjete sociale. Në një kohë që në Velipojë mesnatën e së shtunës ndodhi një masakër ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën dy të tjerë, mëngjesin e së dielës, kreu i qeverisë postoi në “facebook”-un e tij një foto të bregdetit të Velipojës të shkrepur nga ajri me mbishkrimin “Mirmëngjes nga Velipoja e dashur”.

Postimi i një fotoje të tillë shoqëruar edhe me mbishkrimin u duk si një provokim dhe shkaktoi edhe reagimet e ndjekësve të kreut të qeverisë në rrjete sociale. “Vendose një herë të vetme gishtin në kokë. Lëri fasadat po shiko sigurinë e qytetarëve”, shkruan një komentues. “Përse nuk merr shteti një aksion për konfiskimin e të gjitha armëve pa leje”, pyeti një tjetër komentues. Por në fakt, postimi i asaj fotoje në rrjetet sociale të Kryeministrit në një kohë që vet ishte në jug, ishte programuar më herët nga stafi që mirëmban faqen e kreut të qeverisë. Pas komenteve të qytetarëve, Rama e fshiu postimin nga rrjetet sociale.

AKUZAT

Megjithëse fotoja nga Velipoja u fshi nga faqja e “Facebook”-ut të Kryeministrit, lajmi që qarkulloi në media me postimin e Kryeministrit shkaktoi reagimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Ky i fundit përmes një postimi në “Twitter” rreth mesditës, akuzoi kreun e qeverisë se është dorëzuar përpara krimit, ndërsa postimin ku Rama provokonte Velipojën e konsideroi cinik.

“Kur Policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigjja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është ‘hëngshin kokat e tyre’, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik. Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë”, shkroi Basha në “Twitter”.

Ndërsa një përgjigje e pati edhe për akuzat që u ngritën për kryebashkiaken Ademi, pasi sipas tyre hapësirën e plazheve e ndante Bashkia që në fakt gabuan, pasi kjo kompetencë është e Agjencisë në pushtetin qendror. “Trushpëlarë, apologjistë me apo pa qira: boll akuzuat njerëzit për të keqen që ka plasur kudo! Është vetëm pasojë e modelit që sundon vendin! Peshku qelbet nga koka”, shkroi Basha.

Nga ana tjetër, kryesocialisti Rama refuzoi që të bënte replika politike, por gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes së asamblesë së PS-së në Vlorë, kreu i qeverisë lajmëroi se kishte thirrur ministrin e Brendshëm dhe disa drejtorë policie për të nxituar me ristrukturimin e Policisë.

“Do t’ju kërkoj ndjesë për t’u larguar, sepse kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe disa nga drejtuesit kryesor të Policisë për të mos humbur kohë për të nisur sa më shpejtë një fazë të re të ristrukturimit, që është përgatitur prej kohësh, por që për arsye të mirëkuptueshme është momenti të përshpejtohet me disa javë dhe të mos presim më fundin e verës”, tha Rama për gazetarët.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *