Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku: Pa SHBA-në s’duhet të ketë dialog me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë. Këto deklarata i pari i LDK-së i ka bërë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, pas takimit që zhvilloi të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut. “Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Sa i përket çështjes së reciprocitetit me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti ka ndryshuar pozicion në dialog për këtë proces dhe kauza të tjera që i ka pasur para se të bëhej kryeministër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë nisi takimet me krerët e opozitës. Të martën ai zhvilloi një takim me udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Kreu i AAK-së, gjatë takimit po ashtu ka kërkuar që në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja të ketë një përfaqësues.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim. Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *