Pashka, dalje nga robëria, trimf i gjinisë njerëzore mbi vdekjen! Samarxhi: Krishti i ngjallur shpëtoi dhe rriti dinjitetin e krijesës njerëzore…

pashka dalje nga roberia trimf i gjinise njerezore mbi vdekjen samarxhi krishti i ngjallur shpetoi dhe rriti dinjitetin e krijeses njerezore































samarxhiFERDINAND SAMARXHI
NDER I KOMBIT

NË VEND TË PROLOGUT…

Krijesa e gjinisë njerëzore përjetoi këto ditë, me shpresëtari të thellë, mori pjesë në ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamizmin e saj. Zoti na ftoi të vizitojë vreshtin e tij, të cilën Perëndia e mbolli me dorën e saj. Perëndia erdhi në tokë, thotë Shën Vasili i madh për të sjellë tërë njerëzimin te vetja, për ta rilidhur me Krijuesin e Tij, Perëndinë.

Ndonëse njeriu është krijuar sipas ikonës, imazhit të Perëndisë, sipas Shën Grigorit të Nisës, në një masë të shëmtuar refuzoi të pranonte një shoqëri dashurie me Perëndinë dhe e shpërdoroi natyrën e vetë njerëzore.

Natyra njerëzore, edhe pse gjendet e bashkuar si gjini njerëzore, në vend që të shkojë drejt unitetit, nga tendenca e dyfishtë, edhe pse mbart ikonën e Perëndishme, kërkon të shkojë drejt përçarjes si pasojë e rënies në mëkat.

Krijesa njerëzore, dinjiteti i saj, plotësohet dhe përsoset në rrugën, për t’u bërë “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2 PETR. 1:4) Shenjt Grigor Theollogu e përcakton njeriun si “një qenie, që ndërsa, jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë”. (Migne 36:632) Me ngjarjen e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).

Besimi ngjall dhe është te njeriu, ndjesi e vlerës së tij shpirtërore, morale, etike, filozofike, si i tillë, përçon veçori të ikonës hyjnore, të kuptuarin, vullnetin, ndërgjegjen etj.. Krijesa njerëzore mbart mundësinë të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdor elementin “e llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës së saj.

Perëndia e pafundme dhe e pakonceptueshme nuk e braktisi botën dhe nuk e la të vetme, kundër fuqisë së prishjes. Zoti, qëndron mistikisht, me durim, përpara krijesës njerëzore, duke thënë: “Mos kini frikë! Ja, tek jam bashkë me ju, të gjithë ditët e jetës suaj! (Math 28:20).

1

JISUI, PARATREGOI PARA PËSIMIT NGJALLJEN E NJERËZIMIT…

…një ditë Jisui shkoi të vizitonte Marien dhe Martën. Vëllai i tyre Llazar kishte vdekur. Marta i thotë atij: “Zot, të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste”. Jisui i tha asaj: “Yt vëlla do të ngjallet”. Marta i përgjigjet: “E di, se do të ngjallet, në ngjallje, në ditën e fundit”. Jisui i tha: “Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rroj. Edhe kushdo që rron dhe më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën”. Atëherë, duke qëndruar para varrit të Llazarit, që kishte vdekur, Jisui qau. Thirri me zë të lartë: “Llazar, dil jashtë”. Dhe i vdekuri doli, lidhur këmbë e duar, me rripa pëlhure, me fytyrë të mbështjellë me qefinë.

…në qytetin, Naim, Jisui pa një procesion varrimi. I riu që kishte vdekur, ishte djali i vetëm i një vejushe. Duke parë dëshpërimin e madh të nënës, Krishti iu afrua së ëmës dhe i tha: “Mos qaj”! Preku arkivolin dhe i tha djalit: “Djalë, të them ngrihu, ngjallu”! Djali u ngrit dhe filloi të fliste. Të gjithë u mahnitën. Ata shpallën, se Zoti ka vizituar njerëzit e tij. Më të vërtetë, veç Perëndisë kush mund të ngjallë të vdekurit, kështu siç bëri Krishti… ( Luka (7:11-17).

…O Krisht Perëndi, kur ngjalle Lazarin prej së vdekurish, përpara pësimit tënd, tregove ngjalljen e përgjithshme të njerëzimit. Krisht Perëndi, gëzimi i të gjithëve, na dhe dritë e shkëlqim, ngjallje e të gjithë njerëzve. Për mbi dhe, u shfaqe, sipas mirësisë së Tënde, na dhe shëmbëllesën e ngjalljes së nesërme, mëshirën dhe ndjesën e mëkateve… (Shkurtorja – Kondaqi).

“…Hosana, Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit!”, Biri i Davidit! Mbret i Izraelit! Të gjykuan o Perëndi, për shkak të lavdërimit, priftërinjtë dhe shkronjësit. Bënë këshillë “të vrasin” (Lluka 19:47; Joani 11:53, 12:10). Të gjykuan së bashku me turmën e Jerusalemit. Të gjithë njerëzit me dafina ndër duar thërritën “Hosana, Hosana” dhe të njëjtët thërritën tek Ponci Pilat “Kryqëzoje, Kryqëzoje”…

2

JISUI GJYKOHET PËR SHKAK TË LAVDISË HYJNORE…

“…Pra, ti qenke Mbret, Mbreti i Judenjve?!” – i tha atëherë Pilati. Jisui iu përgjigj: “Prej vetiu e thua ti këtë, apo të tjerë të thanë për mua”. Pilati iu përgjigj: “Mos jam unë Judeas?. Kombi yt dhe Kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë; ç’ke bërë?

Pilati përsëri i tha: “Mbret, je ti, pra”? Doni pra, t’ju lëshoj mbretin e judenjve”? “Mos e lësho këtë, por lësho Barabain”.

Atëherë, Pilati, mori Jisuin dhe urdhëroi të rrihej më frushkuj. Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash, ia vunë në kokë… Jisui, doli jashtë, me kurorë ferrash, me mantel të kuq. Pilati u tha: “Ja, Njeriu!” …Porsa e panë priftërinjtë dhe rojtarët bërtitën: “Kryqëzoje, Kryqëzoje”.

Ne kemi ligj, dhe sipas ligjit tonë, ky duhet të vdesë, sepse e bëri veten e tij, bir të Perëndisë”. …Ishte prag Pashke, afërsisht ora gjashtë dhe Pilati u thotë judenjve: “Jam mbreti juaj”, por ata bërtitën: “Ngrije, ngrije, kryqëzoje!”. Pilati u thotë atyre: “Mbretin tuaj të kryqëzoj?”. Kryepriftërinjtë, Kaifa e të tjerë, iu përgjigjën: “S’kemi tjetër mbret, veç Qezarit”. Atëherë, ua dorëzoi që të kryqëzohet.

“E morën Jisuin, që mbarte vetë kryqin, e ndalën në vendin që quhet “Kafka”, hebraisht “Golgota”. “Fali o At se s’dinë çka bëjnë!”. “Grua, qe yt bir!”; “Qe nëna jote”. “Por të vërtetën po të them, sot do të jesh me mua në Parajsë. Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje”? “Kam etje”. “Gjithçka u krye” dhe “O At, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”. “Pëshpëriti shtatë fjalët e fundit në kryq”.

E kryqëzuan, bashkë me dy të tjerë, njërin në një anë e tjetri në anën tjetër, Jisui në mes.

3

NGRIHU O PERËNDI DHE GJYKOJE DHENË…

…Zbrite në varr për ne, o jetë e pavdekshme.
…Ngrihu o Perëndi dhe gjykoje dhenë,
… sepse Ti, do të trashëgosh, tërë kombet.
… Për Adamin erdhe, për mbi dhe, ta shpëtosh,
…Por s’e gjete, dhe atëherë në ferr të zi,
… Ndër të vdekur zbrite, ta kërkosh.
… Ku është gjembi yt, o vdekje,
… Ku është fitorja jote, o Hadh,
… Adamin në mbretërinë tënde,
… Ngjalle dhe shpëtove,
… U ngjall Krishti dhe ti u munde,
… Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit.

Apostol Joani shkruan: “Kjo është fitorja që mundi botën: besimi ynë” (1 Jn 5:4b)

O Pashka e Madhe, Pashka e Shenjtë, shpjerna pra, lart në parajsë, në qiell, ku mbretëron Ti, o Zot, në fronin e të gjithë botëve.

Le të ngrihet Perëndia, le të shpërndahen armiqtë e Tij, le të ikin prej faqes së tij ata që i kanë mëri. Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali. Këndohet Tropari i shenjtë në meshë. Kjo është dita që ka bërë Zoti, le të ngazëllehemi dhe të dëfrehemi në të.

Sot është ditë e ngjalljes, ndriçohu o popull! Pashka e Zotit, Pashka. Se Krishti, Perëndia ynë, na shpuri prej vdekjes tek jeta, prej dheut në qiell, duke kënduar këngën e fitores: Krishti u ngjall së vdekurish.

Pas kanonit, në kishë buçasin psalmet e gëzuar, Shën Joan Gojarti thërret: “Me gëzim le të thërrasë tek Zoti, i tërë dheu! Këndojini emrit të tij, jepini lavde lavdërimit të tij. I gjithë dheu, që të mund të njohim udhët e tua mbi dhe, dhe shpëtimin tënd në tërë kombet”.

MOISIU NXJERR NGA ROBËRIA POPULLIN E TIJ, TË IZRAELIT…

Perëndia, për popullin e zgjedhur të Zotit, Izraelin, premtimin e saj me Abrahamin, e ribëri tek Isaku dhe Jakovi. Dymbëdhjetë djemtë e Jakovit, u bënë dymbëdhjetë udhëheqësit e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Në një ditë të caktuar të historisë, djemtë e Jakovit shitën vëllain e tyre të vogël, Josifin, në skllavëri, në Egjipt. Me ndihëm e Perëndisë, Josifi fitoi pëlqimin e faraonit egjiptian dhe u bë njeri i madh dhe me pozitë në Egjipt. Në një kohë zie buke, vëllezërit e Josifit erdhën dhe u vendosën në Egjipt. Josifi i njohu ata dhe solli tërë popullin e izraelit në Egjipt. Kur Josifi vdiq, populli i izraelit u vendos në skllavëri të plotë nga egjiptianët për më shumë se 400 vjet. (Zanafilla 24-50).

samarxhiu

SHTYPJA E POPULLIT TË IZRAELIT NGA FARAONI…

Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Josifin. Ai i tha popullit të tij: “Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne. Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi”.

FARAONI KËRKON TË SHFAROSË POPULLIN E IZRAELIT…

Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha: “Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë”. Mamitë iu përgjigjën Faraonit: “Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptiane, por janë të fuqishme dhe lindin para se t`u vijë mamia pranë”. Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive.

Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë, ata bërtitën dhe britma e tyre u ngjit deri te Perëndia. Kështu, Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakovin.

Perëndia thirri dhe zgjodhi Moisiun për ta nxjerrë popullin e tij jashtë robërisë së Egjiptit. Perëndia iu shfaq Moisiut në shkurren e zjarrtë dhe i zbuloi emrin e Tij. Atëherë, Moisiu i tha Perëndisë: “Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Do t’u thuash kështu bijve të izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia e Jakovit më kanë dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im, me të cilin do të kujtohem nga të gjithë breznitë”. (Eksodi 3:13-15)

Moisiu u kthye në Egjipt dhe mbas shumë luftëra, përpjekjesh me faraonin egjiptian, mbas shumë plagësh që Perëndia dërgoi mbi Egjiptin dhe faraonin e tij, Moisiu nxori popullin e izraelit jashtë skllavërisë.

Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë dhe do t’u jap hakun gjithë Perëndive të Egjiptit. Ajo ditë do të jetë për ju një ditë, për t’u mbajtur mend, dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm. (Eksodi 11:12-14)

Në det Moisiu iu lut Perëndisë. Ai ngriti shkopin e tij mbi ujërat dhe: “Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë. Nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë. (Eksodi 14:21)

Populli i izraelit e kaloi detin në këmbë. Qerret egjiptiane të luftës që po i ndiqnin u kapën nga ujërat dhe dallgët që u kthyen dhe u mbytën. Dhe populli i zgjedhur i Zotit, Izraeli, pa fuqinë e madhe që Zoti kishte dërguar kundër egjiptianëve, dhe populli pati frikë nga Zoti, besoi te Zoti dhe te Moisiu, shërbëtori i Tij. (Eksodi 14:31)

“Perëndia e udhëhoqi popullin nëpër shkretëtirë me anë të një reje dhe një kolone zjarri. Në Malin e Sinait, Moisiu mori dhjetë urdhërimet dhe ligjin e moralit dhe adhurimit nga Zoti, i cili fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij”. (Eksodi 33:11)

Moisiu u lejua të shikonte lavdinë e Zotit, në tymin dhe retë në majën e malit dhe ai vetë rrezatonte nga madhështia e Perëndisë. (Eksoni 34:29)

Moisiut nuk iu lejua që të kapërcente Jordanin dhe të hynte në tokën e premtuar. Ai vdiq dhe u varros afër malit Nebo, në tokën e Moabit, atje ku ai kishte shkuar përtej lumit Jordan, tokën ku pasuesi i tij, Isui i Navisë, do ta çonte popullin e izraelit.

Pashka, eksodi, shenjë e madhe e pëlqesës dhe e besnikërisë së Perëndisë, ndaj popullit të zgjedhur të Tij, përmendet gjithnjë në psalmet biblike.

samarxhiu2

KRISHTI I NGJALLUR, PASHKË E RE E ZOTIT…

Dalja e popullit të izraelit nga skllavëria e Faraonit të Egjiptiti si dhe kalimi i Detit të Kuq, janë ikonë e Pashkës së Dhjatës së Vjetër. Pashka jonë lidhet me një person konkret, i cili jetoi mes njerëzve në një vend dhe një kohë reale, siç e njeh dhe shkruan historia. Është Jesu Krishti, personi i dytë i trinisë së shenjtë, është Zot dhe Perëndi, i cili u mëshirua prej shpirtit të shenjtë dhe virgjëreshës Mari dhe u bë njeri, pra mori dhe natyrën njerëzore, u bë i dukshëm mes njerëzve, i udhëhoqi dhe i mësoi ata për në mbretërinë e Perëndisë.

Perëndia e krijoi njeriun, Adamin dhe Evën dhe i fali atij lumturi e gëzim të përjetshëm, i fali edhe pavdekësinë. Vdekjen nuk e solli Perëndia, por njeriu me mëkatin e tij. Mëkati falet me gjak, sepse tek gjaku gjendet jeta e njeriut. Asnjë njeri nuk ka gjak të pastër për shkak të natyrës së dobët mëkatare, të trashëguar nga etërit tanë Adami dhe Eva. Flijimi me gjak për mëkatet e popullit të izraelit, ishin një ritual pastrami, sepse gjaku i kafshëve nuk mund të shlyente mëkatet e njerëzve. Duhej një gjak njerëzor i pastër, i një njeriu të pamëkatshëm, që të ofrohej si flijim për mëkatet e njerëzve. Jesu Krishti, erdhi në formë shërbëtori, mori natyrë njerëzore, u bë si ne, me përjashtim që nuk mëkatoi. Siç thotë ungjilli “Krishti i ngjallur, jo vetëm mësoi popullin e Perëndisë, por ftoi në besim edhe me anë të mrekullive të ktheheshin tek Perëndia”.

1

JESU KRISHTI, FLIJIM NJËHERË E PËRGJITHMONË PËR GJININË NJERËZORE…

Vetëm gjaku i pamëkatë i Krishtit, shpagoi njëherë e përgjithmonë, për ne borxhet ndaj Perëndisë. Ai ka të drejtë të na i falë ato, sepse ai pagoi për to. Krishti ripërtëriu natyrën njerëzore, e lartësoi atë me natyrën hyjnore, shkatërroi portat e hallit, të vdekjes, solli triumfin mbi të, jetën, prandaj quhet Adami i dytë. Adami që u krijua nga Perëndia ra në mëkat, bashkë me të ra dhe natyra e njeriut, iu nënshtrua pushtetit të vuajtjes dhe vdekjes, ndërsa Adami i dytë, Krishti e ripërtëriu natyrën njerëzore, meqenëse ai njeri dhe triumfoi mbi vdekjen Perëndi-njeri. Qingji i Pashkës u ther për çlirimin dhe shpëtimin e gjithë njerëzve në tërë botën, prej fuqive të mëkatit, skllavërisë, demonëve, errësirës, egocentrizmit. “Faraoni” i vërtetë është djalli. Ai mban të gjithë njerëzit në skllavëri. Çliruesi i vërtetë është Jisui. Ai çoi popullin nga robëria e mëkatit dhe vdekjes në “tokën e premtuar” të mbretërisë së Perëndisë.

Kështu Jesu Krishti përmbushi Pashkën dhe eksodin me ngjarjet e jetës së tij. Kjo përmbushje u arrit me kryqëzimin dhe ngjalljen e tij. Jisui u vra në festën e Pashkës, për të treguar se Pashka e vjetër u plotësua dhe filloi Pashka e re. Kur qingji Pashkor therej në tempull, Jisui, qingji i Perëndisë u kryqëzua në kryq jashtë qytetit. Kur dita e madhe e Pashkës, e cila atë vit ishte Sabati, u respektua si pushim nga punët, Jisui, u shtri i vdekur duke pushuar prej të gjitha punëve të tij, në varr. Kur agoi “dita mbas Sabatit”, dita e parë e javës, dita e krijimit fillestar të Perëndisë, Jisui u ngjall prej së vdekurish. E gjithë kjo ndodhi që Pashka e re dhe eksodi i ri, të mund të kryheshin jo prej Egjiptit në Kanan, por prej vdekjes në jetë, prej paudhësisë së mëkatit, skllavërisë, në drejtësi, prej errësirës në dritë, prej tokës në qiell, prej tiranisë së djallit dhe lirinë e lavdishme të mbretërisë së Perëndisë. Vdekja dhe ngjallja e Krishtit është Pashka-Eksodi i vërtetë i popullit të Perëndisë. Ata janë shënuar me gjakun e Krishtit dhe shpëtohen nga vizita dhe kapërcimi i vdekjes. Jisui përuroi kremtimin e Pashkës së re në darkën e fundit me nxënësit e tij që ishte e ngrëna Pashkore. Ai u tregoi atyre se nuk do ta mbanin më festën e Pashkës në kujtim të eksodit të vjetër, por në kremtimin Pashkor në kremtim të tij.

LIGJI I FRYMËS, I JETËS NË JISU KRISHTIN, NA ÇLIROI NGA LIGJI I MËKATIT DHE I VDEKJES…

Që të përmbushet drejtësia e ligjit (të Moisiut) në ne, që ne nuk ecim sipas mishit, por sipas frymës.(Romanëtr 8:2-4; 2 Korinthianët3; Galantianët 3-5).

Apostol Joani shkruan: “Sepse ligji na u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jisu Krishtit”. (Joani 1:17)

Jisui i Navisë, Shpëtimtari, kapërceu Jordanin dhe e dërgoi popullin “në vendin ku rridhte qumështi dhe mjalti. Kalimi i Jordanit në tokën e premtuar, nuk u bë nga Moisiu, por nga Jisui, emri i të cilit parafiguron, atë që do të vinte me të njëjtin emër si Shpëtimtar. Ai që filloi misionin e tij mesianik, duke sjellë mbretërinë e Perëndisë me anë të pagëzimit të Tij në lumin Jordan.

Dhe kështu çdo të diel të gjithë në kungimin e përjetshëm, në meshën e shenjtë të bëhemi pjesë e troparit të shenjtë, “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon dhe lëvdojeni Krishtin që u ngjall së vdekuri, dhe me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali. Ndriçohu, ndriçohu qytet i ri Jerusalem se lavdia e Zotit përmbi ty është ngjallur”.

Janullatos1-1_sd-600x337

MESAZHI I KRYEPESKOPIT ANASTAS
MPOSHTJA E HIDHËRIMEVE ME FUQINË E NGJALLJES

“Të njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil.3:10).

Himni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2). Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi! Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts