Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate për media ku kërkon që presidenti Ilir Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg selisë blu.
“Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha”, thuhet në deklaratën e selisë blu.
Një ditë më parë Meta tha se “asnjë shqiptar nuk e meritonte dhunën në protestën e 8 janarit” duke shtuar se udhëheqja e opozitës po provokon tension për të imponuar autoritetin e saj.
REAGIM I PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha.
Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë.
Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane.
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al