Pentagoni i nënshtrohet revolucionit, zbulohet iniciativa për mijëra sisteme autonome të inteligjencës artificiale

Pentagoni i nënshtrohet revolucionit, zbulohet iniciativa për mijëra sisteme autonome të inteligjencës artificiale
pentagoni i nenshtrohet revolucionit zbulohet iniciativa per mijera sisteme autonome te inteligjences artificiale

Forcat e armatosura amerikane kanë rritur prej vitesh përdorimin e inteligjencës artificiale. Por gjatë dekadës së fundit, Pentagoni ka përfshirë format më të përparuara të inteligjencës artificiale që do të ndryshojnë rrënjësisht natyrën e luftës. Tashmë Pentagoni synon të fusë në përdorim mijëra sisteme autonome të inteligjencës artificiale deri në vitin 2026, për të konkurruar me Kinën.

Iniciativa ambicioze, për të cilën nuk është ende e qartë se sa para do të shpenzohen, do të përshpejtojë miratimin për teknologjinë e inteligjencës artificiale që do të vlerësohet e gatshme për t’u bërë pjesë e aktivitetit ushtarak.

“Inteligjenca artificiale është qendrore për axhendën tonë të inovacionit, duke na ndihmuar të përllogarisim më shpejt, të ndajmë informacionin më mirë dhe të përdorim platforma të ndryshme. Dhe kjo është thelbësore për luftimet e së ardhmes”, tha Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Koloneli i Forcave Ajrore, Matt Strohmeyer thotë se është tepër e rëndësishme aftësia për të marrë vendime më të mira dhe më shpejt se konkurrentet dhe kundërshtarët, ndërsa ushtria amerikane po shqyrton përfshirjen e teknologjive të reja.

“Nuk bëhet fjalë për teknologji thjesht për hir të teknologjisë. Është teknologji që do t’u mundësojë ushtarakëve të marrin vendime më të mira dhe më të shpejta”, thotë ai.

Nuk ka ndonjë dyshim në radhët e shkencëtarëve dhe zyrtarëve të Pentagonit, se arsenali ushtarak amerikan do të përmbajë rrjedhimisht edhe sisteme luftarake krejtësisht autonome. Dronët autonomë pritet të hyjnë një ditë në fushëbetejë në grupe të mëdha, disa për qëllime zbulimi, të tjerë për të sulmuar.

Iniciativa e re, e quajtur Replicator, përshpejton integrimin e inteligjencës artificiale në ushtrinë amerikane.

Dy ndër kompanitë që po konkurrojnë për të prodhuar sisteme luftarake plotësisht autonome janë Anduril dhe Shield AI. Ato kanë siguruar financime prej qindra miliona dollarësh dhe punojnë për të zhvilluar kryesisht programet kompjuterike, ndërsa dronët do të blihen në masë nga kompani të tjera.

Craig Martell, drejtues në Pentagon për teknologjinë dixhitale dhe inteligjencën artificiale, është i shqetësuar më pak për armët autonome që do të marrin vendimet vetë, se sa për sistemet që mund të mos funksionojnë sipas planit.

“Pavarësisht nga autonomia e sistemit, do të ketë gjithnjë një zyrtar përgjegjës që kupton kufizimet e sistemit, që është trajnuar së bashku me sistemin, që ka sigurinë e duhur se kur dhe ku duhet dislokuar, dhe që do të marrë përgjegjësinë për dislokimin dhe zbatimin e kuadrit rregullator”, thotë zoti Martell.

Një sfidë urgjente mbetet rekrutimi dhe mbajtja në punë e personave të talentuar që nevojiten për të provuar teknologjinë e inteligjencës artificiale, ndërkohë që Pentagoni gjendet në një situatë të pafavorshme për të konkurruar me nivelin e pagave në sektorin privat./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts