Për kualifikim dhe miliona, Ksavi: Kjo, finalja ime e parë me Barcelonën









Derbi me Espanjolin është harruar në Barcelonë. Nuk ka kohë për t’u menduar, sepse te dera është Benfika, në një ndeshje vendimtare për Barcelonën në Champions. Por, nuk është vetëm prestigji në mes. Me financat e rrënuara të klubit, përballja e sotme me Benfikën është edhe një mundësi e artë për të arkëtuar disa milionë më shumë. Ndonëse i kanë të arta vështirësitë, në klub, drejtuesit e Barçës kanë vendosur si objektiv minimal arritjen në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ky objektiv kalon nga Benfika, rivali i sotëm.

ksavi 2

KUALIFIKIMI

Barcelona mund të sigurojë vendin mes 16 më të mirave në Champions në rast se fiton sonte në mbrëmje. Ndërsa barazimi do ta vendoste në pozita delikate, duke qenë se 90 minutat e fundit do të shkojë t’i luajë në Mynih, me Bajernin që vështirë se do të hapë rrugën. Fitorja, veç të tjerave, do të thotë dhe 2.8 milionë euro më shumë vetëm për suksesin. Por, përpos kësaj Barcelona do të arkëtonte edhe 9.6 milionë euro të tjera, vlerë të cilën e përfitojnë të gjitha klubet e kualifikuara për në 16 më të mirat.

HUMBJA, NJË VETËVRASJE

Krejt në të kundërt, në rast të një humbjeje përballë Benfikës, praktikisht Barça do t’i jepte fund në “derën e madhe”, pasi vetëm një çmenduri në ndeshjet e gjashta mund të ndryshonte fatin e saj. Gjithsesi, te Barça i bëjnë llogaritë me suksesin ndaj Benfikës, që do t’i jepte pasaportën për në 1/8 e finaleve. Ndërkohë që në rast të arritjes së objektivit të vendosur nga klubi (çerekfinalet), Barcelona do të arkëtonte edhe 10.6 milionë euro të tjera. Për rrjedhojë, humbja me Benfikën do t’i kushtonte jo pak, por diku mes 21.1 dhe 26.6 milionë euro humbje.

PËRFITIMET NGA CHAMPIONS-I

Pa llogaritur të drejtat televizive e përfitimet e tjera nga reklamat, klubet pjesëmarrëse në fazën në grupe në Champions përfitojnë 15.64 milionë euro. Këtyre u shtohen 2.8 milionë euro për çdo fitore dhe 930 mijë euro për barazim. Kualifikimi për në 1/8 e finaleve sjell edhe 9.6 milionë euro të tjera; ai në çerekfinale 10.6 milionë euro; gjysmëfinalja 12.5 milionë euro; kualifikimi për në finale 15.5 milionë euro dhe suksesi në finale edhe 4.5 milionë euro të tjera. Deri më tani Barça ka arkëtuar 21.24 milionë euro, ndërsa luan dhe për të paktën 15.2 milionë euro të tjera.

KSAVI

Me shumë gjëra në lojë, trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë. Duke folur në konferencën për shtyp para takimit ndaj Benfikës tekniku 41-vjeçar ka qenë mjaft i qartë, duke i bërë llogaritë vetëm me fitoren. “Të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Nëse duam të shkojmë më tej dhe të qëndrojmë në Champions të fitojmë me Benfikën. Nuk do të jetë e lehtë, por nuk mendoj rezultat tjetër veç fitores.

Unë e shoh përballjen me optimizëm, pastaj të shohim se çfarë do të thotë fusha”, ka deklaruar fillimisht Ksavi. Trajneri i Barcelonës ka vlerësuar edhe Benfikën, duke e cilësuar një skuadër shumë të fortë. “Ata janë një skuadër e shkëlqyer, me lojtarë mjaft të mirë dhe një trajner, që di t’i marrë më të mirën. Duhet të përgatitemi për të vuajtur, por rëndësi ka t’ia dalim”, ka thënë Ksavi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.