
Aktiviteti i radhës në shkollën “Leonik Tomeo” dhe kompleksin e Klubit Sportiv “Teuta” në qytetin e Durrësit bëri bashkë ekipin U16 të “Teutës” dhe fëmijë nga komuniteti, të grup moshave 9-16 vjeç. Aktivizimi i fëmijëve në sesione teorike diskutimesh mbi punën në grup, bashkëpunimin, mbështetjen e ndërsjellë, respektin dhe qëndresën organizohet në kuadër të programit për të rinjtë “Football for Peace” në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në Ministrinë e Brendshme, Institutit për Aktivizëm dhe Ndryshim Social dhe Drejtorinë e Sporteve dhe Rinisë, në Bashkinë Durrës.
Denion Meidani, drejtor i Qendrës së Koordinimit CVE, Gentian Cani, ish-futbollist, biznesmen dhe menaxher i futbollistit të njohur dhe kapitenit të ekipit kombëtar shqiptar Lorik Cana, Alen Sheri, kapiten e portier i ekipit të “Egnatias”, ndanë me fëmijët modelet pozitive të suksesit. Gjithashtu, në takim mori pjesë dhe një figurë e mirënjohur e futbollit të qytetit të Durrësit, mjeshtri Fatmir Hima.
Pas përfundimit të sesioneve teorike dhe diskutimeve, të gjithë së bashku, fëmijë e futbollistë, hynë ne fushat e sportit dhe u angazhuan bashkërisht me trajnerët në stërvitje. Në vijim, programi pilot finalizohet me një aktivitet përmbyllës dhe certifikimin e 50 fëmijëve për pjesëmarrjen në programin “Futbolli për Paqen”. Ky aktivitet do të organizohet në Pallatin e Sporteve “Ramazan Njala”, më 22 qershor 2023, ora 11:00 – 12:30, Durrës. Ky aktivitet do të jetë i hapur për publikun
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al