“Për rinovimet kemi kohë, Shevçenkon duhet ta mundim”, Maldini: Kemi ekip konkurrues, nuk do futemi në merkato









Ai “Golden Foot” është vetëm çmimi më i ri që u shtohet atyre të marrë në karrierë nga Paolo Maldini. Drejtori kuqezi u nderua me këtë vlerësim prestigjioz në Montekarlo, teksa dje ishte përsëri në Milano për t’i qëndruar pranë skuadrës e cila nuk po kalon një moment të mirë në kampionat. Drejtori ka dhënë gjithashtu një intervistë për rrjetin “SKY” duke analizuar ecurinë dhe ambiciet e Milanit në sezonin aktual.

maldiniPaolo Maldini vlerësohet me ‘Golden Foot’

Çfarë do të thotë për ju ky çmim me të cilin sapo u nderuat?

 Është gjithmonë një emocion i veçantë kur merr një çmim. Më kanë ftuar shumë herë në ceremoni të ndryshme, por me kalimin e kohës e kam pasur të pamundur të shkoj fizikisht. Ky ishte një rast për të nderuar një event shumë të rëndësishëm dhe nuk desha të mungoj. Për mua është nder dhe kënaqësi të jem pjesë e një liste kampionësh të përzgjedhur që kanë bërë historinë e futbollit.

Si e gjykoni momentin e skuadrës?

Ajo ndaj Sasuolos ishte një humbje sporadike. Ne e nisëm mirë, por me kalimin e minutave rastet u pakësuan, ndërkohë që nuk shfrytëzuam dot as ato që na u paraqitën. Provuam disa herë të ndëshkojmë rivalin e më pas u shuam.

Çfarë shpjegimi do t’i jepnit asaj disfate?

Duhet të ishim më të gatshëm e më të qartë. Nuk ka justifikime, por për fat kemi menjëherë mundësinë të ndryshojmë ecurinë tonë. E dimë që do të na duhet shumë mund për të mposhtur një ekip si Xhenoa që me ndryshimin e trajnerit do të jetë edhe më e motivuar.

Xhenoa dhe një mik si Sheva rival. Komenti juaj?

Edhe në karrierën si trajner po tregohet i guximshëm duke u vendosur në diskutim. Ai e do punën e tij dhe ka marrë përsipër një detyrë të vështirë. Nuk ka frikë, është një kampion dhe ka për ta vërtetuar. Që në ndeshjen e parë të dielën bëri mirë. Do të jem mbështetësi i tij më i flaktë, por në sportin e nivelit të lartë miqësitë dhe farefisnitë duhen lënë mënjanë.

Cili është momenti më i mirë i karrierës suaj së bashku te Milani?

Them se finalja e Mançesterit kur ai shënoi atë 11- metërsh vendimtar. Rrugëtimi ynë ka qenë fantastik. Ishte një djalë me mentalitet ndryshe dhe u përshtat në një realitet të ri. Kishte talent të frikshëm, por ishte mësuar të stërvitej me një mënyrë tjetër. Pati forcë të bëjë një ndryshim total për t’u transformuar më pas në sulmuesin që e njohim të gjithë.

Flasim pak për merkaton. Keni planifikuar ndonjë goditje për në janar?

Tifozët tanë janë mësuar me fushata blerjesh që ndryshojnë nga ato të së kaluarës. Nevoja bëri që të shpiknim një mënyrë të re për t’u përforcuar pa hequr dorë nga ideja për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Në janar thuhet se punohet për të riparuar gjërat, ne nuk kemi asgjë për të riparuar. Në këto momente nuk kemi nevojë për asgjë dhe nuk besoj se do të ndryshojë gjë në merkaton e dimrit.

Pra, prioritet punës dhe rinovimeve?

Po, jemi të gjithë të fokusuar aty, do të punojmë deri në momentin e fundit, përfshirë këtu edhe për çështjen Kesi. Derisa të kemi kohë do të ushqejmë edhe shpresë. A mund të fitojë Milani një trofe sivjet? Jemi të bashkuar siç kemi qenë në fillim të sezonit. Ecuria ka qenë e mirë dhe kemi bërë gjëra të mëdha, por për të fituar një trofe duhet që gjithsecili të bëjë më tepër sesa ka mundësi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.