“Përbën rrezik të lartë”/ Energjia bërthamore ‘përçan’ BE-në, Gjermania drejt mbylljes së termocentraleve, Franca synon modernizimin e tyre

Qeveria gjermane tha të hënën se e konsideron energjinë bërthamore të rrezikshme dhe kundërshton propozimet e Bashkimit Evropian që do ta lejonin teknologjinë të mbetet pjesë e planeve të bllokut për një të ardhme miqësore me klimën.

Gjermania është në rrugën e duhur për të fikur tre termocentralet e saj të mbetura bërthamore në fund të këtij viti dhe të heqë gradualisht qymyrin deri në vitin 2030, ndërsa fqinji i saj Franca synon të modernizojë reaktorët ekzistues dhe të ndërtojë të rinj për të përmbushur nevojat e saj të ardhshme për energji. Berlini planifikon të mbështetet shumë në gazin natyror derisa ai të zëvendësohet nga burime jo ndotëse për energji.

Rrugët e kundërta të ndjekura nga dy nga ekonomitë më të mëdha të BE-së kanë rezultuar në një situatë të vështirë për Komisionin Ekzekutiv të bllokut. Një projekt -plan i BE – së i parë nga Associated Press arrin në përfundimin se energjia bërthamore dhe gazi natyror në kushte të caktuara mund të konsiderohen të qëndrueshme për qëllime investimi.

“Ne e konsiderojmë teknologjinë bërthamore si të rrezikshme,” u tha gazetarëve në Berlin zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, duke vënë në dukje se çështja se çfarë të bëhet me mbetjet radioaktive që do të zgjasin për mijëra breza mbetet e pazgjidhur.

Hebestreit shtoi se Gjermania “e kundërshton shprehimisht” vlerësimin e BE-së për energjinë atomike dhe e ka shprehur vazhdimisht këtë qëndrim ndaj komisionit.

Gjermania tani po shqyrton hapat e saj të ardhshëm për këtë çështje, tha ai.

Ambientalistët kanë kritikuar theksin e Gjermanisë mbi gazin natyror, i cili është më pak ndotës se qymyri, por ende prodhon dioksid karboni – gazi kryesor serrë – kur digjet.

Hebestreit tha se qëllimi i qeverisë gjermane është të përdorë gazin natyror vetëm si një “teknologji urë” dhe ta zëvendësojë atë me alternativa jo ndotëse si hidrogjeni i prodhuar me energji të rinovueshme deri në vitin 2045, afati që vendi ka vendosur për t’u bërë neutral ndaj klimës.

Ai nuk pranoi të thoshte nëse kancelari Olaf Scholz mbështet pikëpamjen e Ministrit të Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck se propozimet e Komisionit të BE-së ishin një formë “gjelbërimi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.