Një përfaqësi zyrtarësh të huaj të Komunitetit të Transportit nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe nga Gjeorgjia, Moldavia e Ukraina ishin në Pogradec të ftuar nga prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole dhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakollit, për një vizitë studimore.
Ata janë duke realizuar në Maqedoninë e Veriut shkollën verore për konektivitetin, me fokus krijimin e lehtësive për transportin dhe tregtinë, veçanërisht të procedurave në pikat ndërkufitare. Prefekti i qarkut të Korçës shkruan se “u diskutua për mundësinë e lëvizjes së turistëve nga të dyja anët e liqenit (Pogradeci & Ohri), duke krijuar kushte të favorshme për kontrollin e qarkullimit nga Autoriteti Portual i Ohrit dhe përfaqësuesit e palës shqiptarë, si një premisë e shtuar që do të rriste në masë të konsiderueshme numrin e turistëve që vizitojnë Pogradecin, jo vetëm në rrugë tokësore”.
Sipas Joles, krijimi i rrjeteve e bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor jep garanci më shumë për të rritur flukset e qarkullimit të turistëve të vendeve tona, pse jo edhe flukset e marrëdhënieve tregtare.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al