Përgjimet e ‘Sky’, Basha: Vetting në politikë! Kush ka lidhje me krimin s’ka vend në institucionet përfaqësuese të vendit!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me përgjimet e publikuara falë çkodimeve të aplikacionit SKY, sa i takon dosjes së SPAK për operacionin ‘Metamorfoza’, ku dalin në pah lidhjet e krimit me strukturat e zyrtare.

Basha tha se siç dëshmojnë përgjimet e “SKY”, kontrata mes politikës dhe krimit është një plagë e madhe për rendin dhe sigurinë tonë. Mes të tjerash ai thekson se PD është këmbëngulëse në kauzën e pastrimit të politikës.

REAGIMI I BASHËS
Në Dibër, me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të këtij Qarku, nisëm punën për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar dhe riorganizimin e çdo dege të forcës sonë politike, për t’i prirë përballjes me pushtetin e korruptuar të Edi Ramës dhe ndërtimin e alternativës, me përfshirjen e gjerë të anëtarëve të partisë, qytetarëve, intelektualëve, grave, të rinjve e të rejave, sipërmarrësve dhe grupeve të interesit në farkëtimin e të ardhmes që shqiptarët meritojnë.
Siç dëshmojnë përgjimet e “SKY”, kontrata mes politikës dhe krimit është një plagë e madhe për rendin dhe sigurinë tonë. Ne, si Parti Demokratike, jemi përballur me të, e kemi denoncuar dhe sfiduar në shërbim të interesit publik, prandaj duhet të falenderojmë deputetët tanë për këtë qëndresë të drejtë. Për këtë arsye, ne jemi këmbëngulës në kauzën tonë për pastrimin e politikës, pasi ata që kanë lidhje me krimin nuk mund të kenë vend në institucionet përfaqësuese të vendit!
Aleanca Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për ta çliruar ekonominë dhe për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese duke mundësuar:
✅ Listat e hapura;
✅ Vetting-un në politikë;
✅ Kufizimin e mandateve;
✅ Votën e Diasporës;
✅ Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Të gjithë bashkë, përtej dallimeve politike, mundemi ta ndryshojmë filozofinë qeverisëse të dështuar të pushtetit aktual, që varfëron qytetarët dhe pasuron pushtetarët dhe klientelën e tyre.
Shqipëria i ka jetike ndryshimet në sistemin politik, që mundësojnë kontrollin dhe balancën e pushteteve, transparencën dhe llogaridhënien para publikut, sepse korrupsioni flagrant si ai i Inceneratorëve fantazmë, falimentimi i ndërrmarrjeve publike, depërtimi i krimit në strukturat shtetërore, tjetërsimi i pronave përmes të ashtuquajturve “investitorë strategjikë”, vjedhja e fondeve europiane të programit IPARD; si edhe dhjetra padrejtësi të tjera të kësaj klike, kërkojnë një ndërhyrje energjike, e cila jo vetëm të ndëshkojë abuzuesit, apo të ketë rokadë karrigesh, por të mundësojë një ndryshim të vërtetë në funksionimin e shtetit dhe në ripërtëritjen e demokracisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts