“Perikli Sheti, merr para për operacionet dhe nuk e fusin në burg”/ Letra e ish-oficerit të Sigurimit, Hekuran Pobrati: Shokut Rrapo Dervishi i kam thënë se…

perikli sheti merr para per operacionet dhe nuk e fusin ne burg letra e ish oficerit te sigurimit hekuran pobrati shokut rrapo dervishi i kam thene se
perikli sheti merr para per operacionet dhe nuk e fusin ne burg letra e ish oficerit te sigurimit hekuran pobrati shokut rrapo dervishi i kam thene se

Vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, në fillimin e nëntorit të vitit 1982, sipas udhëzimeve të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, (firmosur personalisht nga Enver Hoxha), nëpër të gjitha organizatat bazë të partisë në mbarë vendin, u mbajtën mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilat u analizua “veprimtaria e grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, si; Feçor Shehu, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët së bashku edhe me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Nesti Nasen e atë të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, u akuzuan si bashkëpunëtorët më të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu.

Më pas, të gjitha materialet e këtyre mbledhjeve të mbajtura në Tiranë dhe në rrethe, iu dërguan komiteteve të partisë të rretheve përkatëse, të cilat pas një seleksionimi paraprak, ato diskutime që ishin më të rëndësishme, i’u dërguan sektorit përkatës të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit (Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Hetuesia e Përgjithshme, Prokuroria, Gjykatat etj.), sektor i cili, pas një seleksionimi tjetër më të hollësishëm, i’a dërgonte sekretarit të Komitetit Qendror, Simon Stefani, që mbulonte organet e Punëve të Brendshme.

Në këtë kuadër, edhe sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, Piro Kondi, asokohe, përzgjodhi diskutimin e Hekuran Pobratit, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, që mbante titullin “Hero i Popullit”), i cili ishte pensionist dhe banonte me familjen e tij në qytetin e Elbasanit. Letra me diskutimin në fjalë, i cili ishte mbajtur në mbledhjen e organizatës bazë të pensionistëve ku militonte asokohe Pobrati, (ku u diskutuan materialet e Plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të PPSH-së), pasi është lexuar dhe parë me kujdes nga ana e Simon Stefanit, i është dërguar përsëri Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo pasi aty, që në nëntorin e vitit 1982, me urdhrin e ministrit Hekuran Isai, ishte formuar një grup special, me në krye zv/ministrin e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi, (që njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit), dhe dy vartësve të tij, Enver Zeneli e Hasan Ulqinaku, të cilët kishin si detyrë kryesore: “zbardhjen dhe dokumentimin e veprimtarisë armiqësore të grupit të Kadri Hazbiut, si bashkëpunëtorët të më të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu”! Në këtë kuadër, është dhe diskutimi i Hekuran Pobratit, të cilin e kemi shkëputur nga një dosje voluminoze që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilën po e publikojmë në Memorie.al.

LETRA SHOQËRUESE E SHEFIT TË SEKTORIT TË LETRAVE DHE ANKESAVE PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, VASKË ÇIFLIGU, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR, SIMON STEFANI, ME DISKUTIMIN E ISH-OFICERIT TË LARTË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, HEKURAN POBRATI, “HERO I POPULLIT”, MBAJTUR NË MBLEDHJEN E ORGANIZATËS BAZË TË PARTISË, LIDHUR ME “VEPRIMTARINË ARMIQËSORE” TË MEHMET SHEHUT, KADRI HAZBIUT, ETJ.

 Shoku Simon,

Me datën 11.11.1982, shoku Piro Kondi dërgoi diskutimin që shoku Hekuran Pobrati, ka bërë në mbledhjen e organizatës-bazë, kur u diskutuan materialet e Plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ky diskutim lidhet me informacionin që dërgoi Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, për punimin e materialeve të Plenumit të V-të të Komitetit Qendror në Degën e Brendshme dhe Prokurori e Gjykatë.

                   Vaskë Çifligu

                                                          D I S K U T I M

Megjithëse flitet për një punë të diferencuar, në ndjekjen përpunim, normat e vendosura, nuk e lejojnë, kështu që puna e Sigurimit, si në drejtim të spiunëve dhe të elementeve antiparti, bëhej njësojë si ajo e propagandës, etj. Për faktin se afatet e vendosura, i detyronin Punëtorve Operativ, që të ndryshonin tendencën e spiunimit, me atë të agjitacionit, duke qenë kjo si më e lehtë, realizohej më shpejtë dhe hetuesia mbi këtë tendencës dhe dokumentacion, si hetime, më i lehtë bën hetuesin, kështu i pandehuri më shumë, spiunazhin e tregon agjitacioni, ose ulen në kategori dhe dalë nga dale, hiqen fare e mbeten kontingjent.

Tash kuptohet se këta armiq, i bënin me qëllim që të mëshihnin veprimtarin e rrezikshme të spiunazhit e antiparti, se kështu ata mëshihnin veten. Këto veprime, kanë sjell që shumë spiunë dhe persona që janë përpunuar për aktivitet antiparti, të mos jenë zbërthyer tërësisht ose plotësisht, si të tillë dhe dosjet e tyre janë arshivuar.

Për këto arsye, mendoj qe materialet e arshivuara për këto përpunime, qoftë janë ose kanë dalë nga burgu, duhet studiuar për t’u ndjekur si të tillë dhe për këto kategori, të mos ketë afate realizimi, se aktiviteti i tyre zhvillohet në situata e momente të caktuara dhe kur marrin detyra, jo të konsiderohet me agjitacionin, për faktin se kontingjente që zhvillojnë agjitacion, një pjesë e mirë njihen si armiq nga populli, si e tillë veprimtaria e tyre, bije në sy të tij dhe populli që ka kaluar kaq situata e, qe ka dhënë provë të madhe besnikërie e vigjilence, e mbyt.

Prandaj këtu s’duhet të kemi afate, këtu duket më shumë ndihma e popullit. Ndërsa kontingjenti i elementit anti-parti, sidomos kur nuk njihen, veprimtaria a tyre që bëhet shumë e hollë, bije më pak në sy, prandaj kërkohet kohë dhe punë të vazhdueshme e të hollë profesionale, nga Punëtorët Operativ. Gjithashtu, mendoj që dosjet e përpunimit për veprimtari antiparti, kur hiqen këto materiale, të mos digjen, po të ruhen. Kështu edhe të spiunëve.

Mesa me kujtohet aty nga viti 1951, apo më shumë, në legatën Sovjetike u hodh një bombë, për të zbuluar autorin e saj, u arrestuan dhe mbas një hetuesie dhe gjykimi të shpejtë, u pushkatuan disa nga këta, pjesa më e madhe përpunoheshin, mesa  kam marr vesh si spiunë, se kishin organizuar e hedhur bombën.

Mesa më kujtohet, u zbulua se këtë bombë, e kishte hedhur me porosi të një diversanti, Sejfulla Shima, nga Fush-Kruja, ish- shofer i Mustafa Merlikës dhe anëtar i organizatës “Fronti Rezistencës”, duhet shikuar mos janë kontingjent të zbulimeve, ku bënë pjesë armiku Mehmet Shehu, e sidomos të Fullcit e Jugosllavëve, për të ruajtur veten, ka influencuar të pushkatohen dhe mbas këto arrestime e pushkatime, Mehmet Shehu i ka bërë për të ruajtur veten, që të mos zbulohej. Mendoj që të shikohen dosjet e tyre. Në këtë kohë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Tiranë, ka qenë Halim Xhelua.

Në kapitullin e Teme Sejkos, përveç të tjerave të arrestuarit deponuan, se kishin sjellë armë e disa njerëz nga Greqia, për t’i pasur gati për Kryengritje, i kishin fshehur në disa shpella. Disa prej tyre, u muarën të shoqëruar me Punëtorin Operativ dhe u shpunë për të gjetur, ku i kishin fshehur.

Nëse, sa mbaj mend unë, nuk u gjet asgjë? Në këtë komplot implikoheshin si ndërlidhës me Zbulimin grek, një person A.P. Për t’u zbuluar më tej kjo veprimtari, në rolin e dy zbuluesve grek, u paraqitën e muarën lidhje me ndërlidhësin ,dy Punëtorë Operativë, por si nuk e hëngri këtë lojë, nuk pranojë asgjë.

Mbas 2-3 ditësh, një nga Punëtorët Operativë pjesëmarrës, që punonte jashtë në një rreth, u thirr në Tiranë nga Mihallaq Ziçishti, për një kohë, mos binte në sy të këtij ndërlidhësi, u muarën masat e internimit, duke e hequr nga Konispoli, e shpunë në kooperativën e fshatit të tij, atij Punëtori Operativ që u thirr e u porosit, që ishe në rolin e Zbulimit grek, Hekuran Pobrati, i cili duke mos e njoftuar nga Ministria dhe Mihallaqi, nuk dinte që ky ndërlidhës ndodhej aty, kur ka shkuar në fshat, duhet të jetë njoftuar prej tij.

Kjo vërtetohet se ky ndërlidhës më vonë, i bënë një letër shokut Enver Hoxha se është i pafajshëm dhe është provokuar nga organet e Sigurimit. E shpjegoi këtë me masë, se ka këtu me këto veprime qëllime të dekonspirimit të masave tona tek Zbulimi Grek, nga këta armiq.

Partia e shoku Enver, vazhdimisht kanë porositur për rritjen e rolit udhëheqës të Partisë në organet tona. Të shumta janë ato  që flasin për këtë rol, por në veçanti pas goditjes së puçistëve Beqir Ballukut etj., “Partia në komandë, e jo komanda në Parti”.

Po ky rol këtu ashtu si kërkon vendi dhe puna, nuk është si duhet, kjo nuk është e sotme këtu, por qysh kur ishte Selim Qafleshi dhe për të, nuk kishte respektin e duhur dhe nuk pyeteshe. Dhe në vazhdim, kjo ndodhi edhe me shokun Vangjel.

Nuk di si ndodh në rrethe të tjera, kjo duhet të jetë futur nga lart. Nuk është thënë që kryetari me sekretarin, të rrinë gjithmonë bashkë, po ama nuk duhen që të ndahen siç ndodhte, ata i lidh puna, respekti dhe dashuria për njeri tjetrin.

Pse rri vetëm me disa shoku Gëzim, pse nuk shoqërohet me Punëtorët Operativ të rinj, ata kanë nevojën e tij, duhet t’u qëndrojë afër, të futet në botën e tyre, në hallet dhe shqetësimet. Pa u pyetur sekretari s’duhet bërë asgjë, prandaj Partia zhduku me kohë diferencimet midis tyre.

Edhe kritika nga poshtë, nuk ishte sa duhej se dhe nga përgjegjësit sidomos Gëzimi, nuk e pranonte. Më ka bërë përshtypje një rast në një mbledhje, kur shoku Vangjel kritikojë për zbulimin me vonesë të një krimi, udhëheqjen në Degë.

Pa u ulur ky, u ngrit shoku Argjir Ligori, me tendencë e pa respekt u hodh në mbrojtje të komandës e, në veçanti sh. Gëzim. Ka familjaritet dhe unë nuk jam dakord me diskutimin e Argjirit, ai ka familjaritet dhe duhet të bëjë autokritike. Nga këto, u arrit ndarje në organ.

Këtu ka përgjegjësi dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë, shoku Qemal Sokoli, megjithëse unë i kam thënë, qoftë për rastet kur ishte sekretar Selim Qafleshi dhe tashti, që s’duhej qëndruar indiferent, s’duhej njoftuar.

Për Perikli Shetin, unë jam ngritur këtu në organizatë, qysh kur këtu ishte sekretari i parë shoku Rrapo Dervishi dhe në këtë mbledhje ishte dhe ai, dhe thashë se ka shumë fjalë, se Perikli Sheti, merr para për operacionet që bën dhe nuk futet në burg, se mbrohet dhe ai vazhdonte e ne bënim sehir, populli fliste se  ka miq në Degë.

Mendoj se për organet e Punëve të Brendshme, të merren kuadër nga klasa punëtore e kooperativiste, duke u shtrirë në të gjithë rrethet e krahinat. Kështu të veprohet dhe për shkollën, duke u pare cilësitë, aftësitë dhe talenti. Qarkullimi dhe freskimi është, sidomos për kuadrot kryesorë, të jetë i domosdoshëm. Armiqtë e Partisë në këto organe këtu, kanë abuzuar për të mëshehur lëkurën e tyre.

Megjithëse unë, sa u çlirua Shqipëria, s’kam lënë rreth pa shkuar në ndjekje kundra bandave, por dhe kur erdha në Tiranë, në atë sektor, në rrethe mbeta. Nga Tirana, megjithëse me shumë fëmijë, u transferova në Koplik, nga këtej në Gramsh, nga Gramshi në Tiranë, më lanë dy vjet e prej këtej në Peshkopi dhe asnjëherë s’më kanë pyetur, shyqyr që u ndodh Banush Goxhaj, që tha: – “Ore, ky që andej erdhi, caktojeni në një vend që të bëjë pleqërinë”.

Kur flas për vete, kam parasysh dhe shokë të mi si Medin Bilbilin, etj., që se kanë bërë jetën familjare, gjithmonë në ndjekje nga Tirana në Pukë, nga këtej në Përmet, derisa u plakën në lëvizje.

Kurse në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, qëndronin nga ata që kishte nga çlirimi deri tani, ose që janë larguar nga 1-2 vjet dhe prapë janë kthyer. Ky trajtim për disa, është i pa drejtë dhe i dëmshëm, se ju kultivon atyre mendjemadhësinë, rehatin, servilizmin etj.

Edhe në përgatitjen e kuadrit oficer të Ministrisë Punëve të Brendshme, ka influencuar puna armiqësore e këtyre armiqve? Fakti që shumë tema janë të zbehta, pa shembull, që nuk ndjekin zhvillimin, p.sh., tema që përmend terrorin më kujton diversantin Shahin Tosumin, i kapur më 1951, ai ish dërguar dhe instruktuar edhe për terror, kur e pyetëm si do tentoje në dhomë, ai u ngrit e na i bëri në praktik, veprimi i tij jo vetëm na revoltojë, por dhe na mësojë, si të ruhemi.

Edhe këto të vjetrat kanë vlerë edukuese dhe përgatitja profesionale, që janë aq të shumta, po që nuk parmendën fare, ose më e keqja është, për mendimin tim, se nuk njihen armët e reja që mund të përdorin armiqtë sot, në këtë drejtim e në drejtime të tjera. Në qoftë se do të ishte bërë kjo, nuk do të ndodhte kjo që ndodhi në Lushnje.

Edhe heqja e temës kundra bandave e diversantëve, nuk më duket e drejtë. Angazhohem se deri sa të kem shpirt, do të punoj natë e ditë, për të merituar e mbajtur të pastër, emrin e lartë të Partisë sonë të lavdishme, e për mbrojtjen e Partisë e të popullit e, Atdheut, nuk do të kursej as jetën. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts