Përjashtimi i Nokës nga Komisioni i Sigurisë/ Deputeti: As Nano e Rama nuk kanë guxuar ta quajnë llum anëtarësinë e PD. Selia blu: Nuk është përdorur ajo fjalë!








Flamur Noka nuk do të jetë më nënkryetar i Komisionit të Sigurisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka komunikuar dje shkarkimin e tij nga ky funksion, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

perplasje

Kryesia e “vogël” e përbërë nga Basha, katër nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm, Bardhi, mori vendimin për përjashtimin e Flamur Nokës si nënkryetar i komisionit të Sigurisë. Pas marrjes së vendimit nga kryesia e grupit parlamentar, e drejtuar nga Alfred Rrushaj, ka qenë kryedemokrati Basha i cili i ka telefonuar Nokës ku i ka komunikuar vendimin e kryesisë së grupit parlamentar dhe e ka paralajmëruar për përjashtim nga grupi parlamentar.

Ky vendim vjen në ditën kur deputeti i PD-së akuzoi kryedemokratin Basha se e ka quajtur bazën e partisë dhe qeverinë e Berishës “llum”. Përmes një njoftimi për mediat, ku selia blu zbulon arsyet e këtij vendimit, thuhet se deputeti Noka, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena, e shndërroi mbledhjen e Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike. Sipas PD-së, këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve.

“Sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka komunikuar shkarkimin nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar. Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve: Edi Rama”, thuhet në njoftimin për media të Partisë Demokratike.

Përjashtimi i Nokës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë i heq atij të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e kryesisë së grupit të deputetëve, ndërsa ai është një nga deputetët e rreshtuar në krah të Sali Berishës dhe kundër përjashtimit të tij nga grupi i PD-së. Ndërkohë, Flamur Noka në reagimin e parë pas këtij vendimi ka deklaruar se: “Jam shumë i qartë se në përpëlitjet e fundit për t’u kapur më thonj pas karriges së kryetarit, po bën veprime të tilla përpara se të shkarkohet për vete. Ai është i shkarkuar pasi anëtarësia dhe delegatët janë duke firmosur masivisht formularin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar”.

PËRPLASJA

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka zbuloi në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat se çfarë ka ndodhur, sipas tij, në mbledhjen e kryesisë së Grupit të PD-së. Noka akuzoi kryetarin Lulzim Basha se e ka quajtur bazën e partisë dhe qeverinë e Berishës “llum”.

“Jam këtu sot para jush për të dënuar leksikun e ulët të kryetarit të PD-së, Basha, ndaj qeverisë së PD-së, qeverisë më të suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vjet demokraci. Jam këtu për të dënuar edhe fyerjet, poshtërimin e radhës që Basha mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së Grupit Parlamentar i bëri anëtarësisë dhe elektoratit të PD-së, duke e quajtur ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano, as Edi Rama, as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së, e cila po mbush foltoret, që kërkon që kjo forcë të rikthehet në standardet e saj dhe normat statutore, t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë nën kthetrat e Ramës.

Zoti Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij dhe u vendos i lidhur pas asaj karrigeje. Foltorja është zgjidhja, është alternativa, foltorja e Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar e për ta shpëtuar nga rrokullima ku zoti Basha po e çon PD-në”, tha Noka për mediat. Ndërkohë, përmes një reagimi për mediat, Partia Demokratike ka kundërshtuar pretendimet e deputetit Noka. PD thekson se fjala “llum” nuk është përdorur për asnjë moment për anëtarësinë e partisë, por ndaj atyre që në qeverisjen e PD-së kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit ndërsa sot duan të përdorin anëtarësinë e PD-së për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës.

“Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë, për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment anëtarësia e PD-së nuk është etiketuar me fjalën ‘llum’. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD-së kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD-së për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës. Anëtarësia e PD-së, militantët e saj të nderuar, kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij”, thuhet në reagimin e selisë blu.

Ndërkohë mësohet se gjatë debatit në kryesinë e Grupit të PD-së, sipas burimeve të gazetës “Panorama”, Basha të jetë shprehur se: “Edhe ato akuzat ordinere që unë u bëkam presion njerëzve, ndërkohë që është mbushur PD-ja me denoncime se si llumi i qeverisjes së PD-së po përdor paratë e mbledhura nga korrupsioni për t’u bërë presion demokrateve. Këto janë me zë dhe me figurë dhe do të dalin. Boll me këto intriga ordinere. Demokratët i njohin mirë, ua dinë bëmat dhe pazaret me Ramën në të shkuarën dhe të tashmen”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *