‘Përmbytja e vdekjes’ në Gjermani, numri i viktimave mund të rritet

10:01 16/07/2021

Më shumë se 80 persona humbën jetën dhe rreth 1,300 të tjerë rezultojnë të zhdukur në Gjermani, pasi vendi është goditur nga përmbytjet më vdekjeprurëse në historinë moderne.

Shumica e të zhdukurve janë nga rajoni i Ahrweiler, në jug të qytetit të Këlnit, i cili u përmbyt nga shirat e rrëmbyer gjatë natës të Mërkurën, duke bërë që lumenjtë të shpërthenin e duke marrë para shtëpitë ndërkohë që banorët të pa përgatitur nga kjo katastrofë natyrore ndodheshin brenda tyre.

9 persona humbën gjithashtu jetën në Belgjikën fqinje ndërsa mijëra u evakuuan në Holandë, Luksemburg dhe Zvicër. Megjithatë vendi më i goditur deri më tani është Gjermania.

Një ndër ngjarjet e vetme të krahasueshme në historinë e pasluftës të këtij shteti është ajo e 1962 kur më shumë se 300 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve në Hamburg. Megjithatë, numri i viktimave gjatë kësaj jave mund ta tejkalojë këtë, nëse llogariten edhe personat që rezultojnë të zhdukur.

“Kam frikë se pasojat e vërteta të kësaj katastrofe do t’i shohim në ditët në vijim”, tha Kancelarja Angela Merkel në një reagim që pati nga Washingtoni. Ndërsa e përditshmja gjermane Bild e quajti ‘përmbytja e vdekjes’.

Si të mos mjaftonte situata aktuale, shiu pritet që të vijojë në disa pjesë të perëndimit, ku niveli i ujit në lumin Rhine dhe degët e tij po rritet në mënyrë të rrezikshme.

Rreth 1,000 ushtarë kanë zbarkuar në terren për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe në pastrimin e rrënojave në qytetet dhe fshatrat të prekura.

Rrugë dhe shtëpi nën ujë, makina të përmbysura dhe pemë të shkulura mund të shihen kudo që ka kaluar uji i rrëmbyer, ndërsa disa zona janë shkëputur nga pjesa e botës.

Në Ahrweiler disa shtëpi u shembën plotësisht, duke krijuar një pamje të ngjashme me një vend të goditur nga cunami.

Të paktën 20 persona janë konfirmuar të vdekur në Euskirchen, një nga qytetet më të goditura në veri.

Qendra e tij është kthyer në një grumbull rrënojash, me fasadat e shtëpive të shkatërruara nga përmbytjet e vrullshme.

Si të mos mjaftonte kjo, një digë aty pranë mbetet ende rrezik për të shpërthyer.

“Me mendje dhe zemër jam më të gjithë ata që nga kjo katastrofë humbën njerëzit e tyre të dashur, apo janë ende të shqetësuar për fatin e njerëzve që rezultojnë të zhdukur”, tha Merkel.

Kancelarja u shpreh se qeveria e saj nuk do t’i linte të prekurit “vetëm në vuajtjet e tyre”.

Stuhitë e kanë kthyer ndryshimin e klimës në qendër të fushatës zgjedhore të Gjermanisë.

“Gjermania duhet të përgatitet shumë më mirë në të ardhmen”, tha Ministri i Brendshëm Horst Seehofer, duke shtuar se “ky mot ekstrem është pasojë e ndryshimit të klimës”.

Duke qenë se një atmosferë e ngrohtë mban më shumë ujë, ndryshimi i klimës rrit rrezikun dhe intensitetin e përmbytjeve nga reshjet ekstreme të shiut.

Në zonat urbane me kanalizime të dobëta dhe ndërtesa të vendosura në zona të rrezikuara nga përmbytjet, dëmet mund të jenë të mëdha./tvklan.al








Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *