
08:50 20/06/2022
Të paktën 59 persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga stuhitë e forta musonore në Indi dhe Bangladesh. Shumë njerëz kanë mbetur të bllokuar, ndërsa punonjësit e urgjencës po luftojnë për të shpëtuar familjet që kanë mbetur të bllokuara. Sinoptikanët paralajmërojnë se situata e motit dhe përmbytjet priten të përkeqësohen gjatë ditëve në vijim.
Zyrtarët e qeverisë së Bangladeshit i kanë përshkruar përmbytjet e fundit si më të rëndat në vend që nga viti 2004. Shirat e rrëmbyeshëm gjatë javës së fundit kanë përmbytur sipërfaqe të mëdha të rajonit verilindor të vendit, situatë e cila është përkeqësuar nga rreshjet e dendura në malet në Indinë fqinje.
“Pasi pritëm një ditë të tërë në çatinë e shtëpisë sonë, një fqinj na shpëtoi me një varkë të improvizuar. Nëna ime tha se nuk kishte parë kurrë përmbytje të tilla në gjithë jetën e saj”, tha një 23-vjeçare.
Shkollat janë shndërruar në strehimore të improvizuara dhe janë vendosur trupa shpëtimi për të evakuuar familjet që janë bllokuar si pasojë e përmbytjeve./tvklan.al