Përpjekjet për evakuimin e amerikanëve nga Afganistani

Mes kritikave të forta për tërheqjen kaotike nga Afganistani, Presidenti Joe Biden foli për shtimin e përpjekjeve të evakuimit për amerikanët, si dhe mijëra afganë të bllokuar, që me dëshpërim duan të largohen nga vendi pas marrjes së kontrollit nga talebanët.

Ndërsa kanë mbetur 10 ditë nga afati i tërheqjes së plotë të trupave amerikane nga Afganistani, mijëra afganë të dëshpëruar vazhdojnë të jenë në aeroportin e Kabulit ku vazhdon kaosi dhe fëmijët tashmë nuk frikësohen nga të shtënat e armëve.

13,000 individë janë evakuuar me avionë ushtarakë amerikanë që nga 14 gushti, sipas Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Joe Biden e quajti evakuimin nga ajri si një një nga më të vështirat në histori. Zoti Biden premtoi se do të kthejë në Shtetet e Bashkuara të gjithë amerikanët që duan të largohen nga Afganistani.

“Nuk mund të premtoj se cili do të jetë rezultati përfundimtar ose çfarë do të jetë – se do të jetë pa rrezik humbjeje. Por si komandant i përgjithshëm, mund t’ju siguroj se do të mobilizoj çdo burim të nevojshëm”.

Uashingtoni vlerëson se në Afganistan kanë mbetur dhjetë deri në pesëmbëdhjetë mijë amerikanë.

Presidenti tha se ai është i angazhuar për evakuimin e atyre që janë të pajisur me viza speciale emigrimi, si dhjetëra mijëra përkthyes afganë dhe familjet e tyre, që ndihmuar përpjekjet amerikane gjatë luftës, dhe kërcënohen nga talebanët.

“Nuk ka gjë më të rendësishme sesa evakuimi i qytetarëve amerikanë. E pranoj këtë. Por ata janë njësoj të rëndësishëm pothuajse si të gjithë ata që janë të pajisur me viza speciale, të cilët në fakt na ndihmuan”.

Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Sarah Holewinski e organizatës Human Rights Watch foli për Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Unë dhe kolegët e mi të tjerë për të drejtat e njeriut nuk jemi të kënaqur me atë që po dëgjojmë nga administrata Biden. Ne po punojmë ditë e natë me Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Shtetit, USAID, Shtëpinë e Bardhë – ka njerëz në ato pozita që po punojnë gjatë gjithë kohës për të evakuuar afganët. Por në aspektin politik, nuk po dëgjojmë se po i jepet përparësi largimit të afganëve në rrezik, këta janë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gratë, gazetarët, akademikët, të cilët nuk kanë viza, të cilët mund të mos kenë pasaporta, çfarë duhet të bëjnë ata?”, shtron pyetjen zonja Holewinski.

Operacioni i evakuimit ka hasur në probleme. Ndërsa qendrat e strehimit në Katar kanë tejkaluar kapacitetet, fluturimet jashtë Kabulit u ndërprenë për disa orë të premten.

Një tjetër sfidë e madhe për amerikanët dhe aleatët afganë është shkuarja në aeroport përmes postoblloqeve të talebanëve. Uashingtoni po shqyrton operacione shpëtimi për t’i ndihmuar ata.

Disa vende të NATO-s kanë propozuar që aeroporti i Kabulit të mbetet i hapur për evakuime përtej afatit aktual të 31 gushtit.

“Problemet me të cilat ndeshemi nuk është mungesa e aeropolanëve por aftësitë për të dërguar njerëzit në aeroport dhe përpunimi i dokumentacionit të tyre”,thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Trupa amerikane shtesë po dislokohen për të ndihmuar evakuimin. Administrata e zotit Biden thotë se në terren aktualisht ndodhen 6,000 ushtarë amerikanë.

Ndërkohë nuk ka plane për zgjerimin e perimetrit të sigurisë përtej aeroportit të Kabulit për të shmangur, siç tha Presidenti Biden, “pasoja të padëshiruara”.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *