
23:29 22/09/2022
SHBA akuzon Rusinë se po shkatërron rendin botëror
Për herë të parë që prej nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov janë vënë përballë njëri-tjetrit. Ata morën pjesë në takimin posaçëm të Këshillit të Sigurimit ku u diskutua për paqen dhe sigurinë e Ukrainës. Në fjalën e tij Blinken ishte shumë i drejtpërdrejtë duke akuzuar Rusinë se po shkatërron rendin ndërkombëtar.
“Vetë rendi ndërkombëtar që jemi mbledhur këtu për të mbështetur po copëtohet para syve tanë. Nuk mund ta lëmë Presidentin Putin të ikë me të”.
Ministri i Jashtëm rus në fjalimin e tij e pati të vështirë të justifikohej para Këshillit dhe e gjeti veten të izoluar në qëndrime, por akuzoi Ukrainën për kërcënimin e sigurisë ruse dhe “shkeljen” sipas tij të të drejtave të rusëve dhe rusishtfolësve në Ukrainë.
“Ne nuk kemi besim në punën e këtij organi. Për tetë muajt e fundit ne kemi pritur që të ndërmerren hapa kundër pandëshkueshmërisë në Ukrainë dhe nuk presim asgjë më shumë nga ky institucion. Gjithçka që thashë sot thjesht konfirmon se vendimi për të kryer operacionin special ushtarak ishte i pashmangshëm“.
Ndërsa e mori fjalën ministri i Jashtëm i Ukrainës Dymitro Kuleba, Lavrov u largua nga salla.
“Ne nuk mund të lejojmë Rusinë të rifillojë lojërat e urisë me botën. Kemi nevojë për veprim urgjent bazuar në Kartën e OKB-së për të rivendosur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Diplomatët rusë janë bashkëpunëtorë pasi gënjeshtrat e tyre nxisin këto krime dhe i mbulojnë ato“.
Kuleba falenderoi Turqinë dhe OKB-në për marrëveshjen e eksportit të sigurt të drithit ukrainas.