Përplasja në PD për zgjedhjen e Presidentit të ri/ Berisha: “S’do votojmë kandidatët e Ramës”. Basha: “Çdo ditë ‘non grata’-t shpallin gënjeshtra”









KELMENT BAÇI/ Zgjedhja e Presidentit të ri ka hapur në Partinë Demokratike një diskutim rreth qëndrimit që ajo do të mbajë në gjithë procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.

pjimage

I gjithë kampi opozitar është i paqartë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi Ilir Metës i përfundon mandati më korrik të këtij viti dhe ende nuk ka një qëndrim të unifikuar për këtë çështje. Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kanë vizituar Shkodrën gjatë kësaj fundjave, ku kanë shprehur edhe qëndrimet e tyre për këtë çështje. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se ende nuk ka një emër për President, por hodhi poshtë mundësinë e një konsensusi me Ramën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Gjatë një deklarate nga Shkodra, ai tha se s’do të votojë kandidatët e Kryeministrit, duke theksuar se është sikur të dërgojë kopjen e Ramës në Presidencë. “Ne si opozitë s’kemi emër për President, jo s’kemi. Absolutisht jo, s’do të votojmë kandidatët e Edi Ramës, do të thotë të çosh kopjen e tij në Presidencë”, tha Berisha. I pyetur nëse PD do të bëjë konsensus me Edi Ramën për zgjedhjen e kreut të shtetit, Berisha u shpreh se: “Është si të puthesh me Judën. Ai vuan nga kompleksi i vdekjes, edhe në gjumë ngrihet llahtar nga unë. Do ta mund siç e kam mundur dy herët e tjera (qesh)”.

Nga ana e tij, ishkreu i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se lakimi i emrit të tij si President i ardhshëm është një nga gënjeshtrat që shpallen çdo ditë nga “non grata”-t për të hequr vëmendjen nga e vërteta. “Prej kohësh debati zhvendoset aty ku i leverdis një grushti njerëzish dhe jo aty ku duhet të jetë në interesin e shqiptarëve. Një grusht njerëzish mbajnë peng politikën dhe, përmes politikës, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit. Mos bini pre e trukeve. Çdo ditë ‘non grata’-t shpallin gënjeshtra për të hequr vëmendjen nga e vërteta. Demokracia është në krizë, ekonomia në krizë dhe shoqëria në krizë, për shkak të gënjeshtrave që behën për të grabitur dhe gënjeshtrave të atyre që janë në krah të regjimit. Nuk ka gënjeshtër për të hequr vëmendjen nga të vërtetat”, tha Basha për gazetarët.

BASHKIMI I PD

Nga Shkodra, ish-Kryeministri ka komentuar edhe fushatën e tij për bashkimin e partisë përmes bashkimit të votës kundër asaj që ai e konsideron regjimi i një organizate kriminale. “Jam i bindur se të rinjtë shqiptarë do të ngrihen fuqishëm për të rikthyer votën e lirë. Është koha të bashkojë forcat përballë një regjimi që përbën një organizatë kriminale. Kur janë me kollare dhe kostume, është super-organizatë. Edi Rama është dezekuilibruar sepse e sheh që ngado që lëviz del ai që është. Kam besim se me qytetarët e Shqipërisë dhe shkodranët i ka kohërat e numëruara”, u shpreh Berisha. Për ish-kreun e demokratëve Lulzim Basha, hapin e dorëheqjes e ka konsideruar si një hap për të ndihmuar qetësimin, paqtimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike, po kurrsesi heqje dorë nga përgjegjësia e tij ndaj demokratëve.

“PD nuk bën dot përpara me ‘non grata’- t dhe pa u shkëputur plotësisht nga kultura e fshehjes së të vërtetës pas gjuhës së propagandës, linçimit dhe fyerjeve ndaj çdokujt që nuk mendon si 1, 2 ose 3. PD nuk bën dot përpara pa e parë të vërtetën në sy. Më 6 mars beteja e vërtetë është beteja mes vlerave dhe antivlerave. Bashkëpunimi i ‘non grata’- ve mund të ketë funksionuar. Bashkimi bëhet rreth vlerave.

Nuk mund të flasësh gjithë ditën për bashkimin, ndërkohë që ngre në piedestal antivlerat, përjashton njerëzit, kontributet dhe vlerat. Ata flasin për përballje me regjimin dhe, kur vjen puna për të votuar kundër regjimit, siç ishte rasti i inceneratorëve, i bashkojnë votat me regjimin dhe pastaj ndërmarrin sulme dhe shpikin gënjeshtra pas gënjeshtrash për t’u ikur të vërtetave”, u shpreh Basha. I pyetur nëse do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për kreun e PDsë, Basha u shpreh se: “Nuk bëhet fjalë për kandidim apo rikandidim. Nuk do t’i jap luksin askujt e as më pak dikujt që lufton për veten e tij që unë të flas për veten time. Nuk jam këtu për veten time, por për vlerat e PDsë dhe për vlerat dhe kontributet e demokratëve. Kam vite që detyra më ka detyruar të braktis jetën familjare dhe të braktis fëmijët dhe prindërit e mi”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.