Përplasja Pjerin Ndreut me “Shqiponjat”, reagon Basha: Policia është tradhëtuar nga regjimi Rama-Doshi, përdoren si vegël për të mbuluar…






Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me kallëzimin e policisë ndaj Pjerin Ndreut me pretendimin se i ka ofenduar dhe ka penguar detyrën.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Basha thotë se punonjësit e policisë janë të tradhëtuar nga regjimi Rama-Doshi dhe se përdoren si vegël për të mbrojtur lidhjet e pushtetit me krimin.

Sipas tij, pasojat e këtij modeli e vuajnë vetëm qytetarët dhe se zgjidhja është prerja e lidhjeve të pushtetit me krimin.

“Punonjësit e ndershëm të policisë janë të tradhtuar nga regjimi Rama-Doshi. Kur vjen në pushtet me krimin, policia përdoret si vegël për të mbrojtur lidhjet e pushtetit me krimin. Pasojat e këtij modeli që sundon vendin i vuajnë qytetarët, fëmijët dhe familjet shqiptare. Zgjidhja është prerja e lidhjeve të pushtetit me krimin. Prandaj fajtori ishte sot pa përgjigje. Peshku qelbet nga koka“ – shkruan Basha në Twitter.

PËRPLASJA MES PJERIN NDREUT DHE POLICISË

Tre efektivë të policisë së shtetit kanë kallëzuar penalisht kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun me pretendimin se i ka fyer dhe i ka penguar në ushtrimin e detyrës. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Shëngjin jashtë ambienteve të një hoteli. Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit pasi kishte kaluar ora policore, por kanë hasur kundërshtinë e pronarit të subjektit.

Në ndihmë të efektivëve të patrullës erdhën forcat „Shqiponja“ të cilët në debat e sipër tentuan të shoqërojnë në komisariat pronarin e lokalit. Në këtë moment ka dalë kryebashkiaku Ndreu duke i penguar detyrën me pretendimin se ligjin e bënte ai. Një ditë më pas, ndaj dy efektivëve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eprorët e tyre për “Shkelje të rëndë të atributeve e kompetencave të Policisë”, me argumentin se në subjektin ku kishte muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj.

REAGIMI I PJERIN NDREUT LIDHUR ME NGJARJEN

Kryebashkiaku Pjerin Ndreu përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes. Duke i cilësuar “barkderra” efektivët që e kanë kallëzuar, Ndreu thotë se ata kanë kryer veprime të dhunshme gjatë një darke zyrtare me prezencën e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës. Ai thotë se policia duhet të kishte vendosur gjobën që u takonte dhe të shmangnin veprimet e dhunshme.

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA PËR NGJARJEN

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat, Rama tha se çdokush që do të pengojë ose ofendojë policinë gjatë ushtrimit të detyrës, qoftë edhe zyrtar, do të përballet me ligjin. Sipas kreut të qeverisë, shqetësimi më i madh do të ishte nëse oficerët e policisë nuk do bënin kallëzim për këtë ngjarje.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *