Përplasja Rama-Meta për mosdekretimin e Cakajt/ Çfarë shqyrtoi dje Gjykata Kushtetuese dhe kush ishin pretendimet e palëve






Gjykata Kushtetuese mbajti dje seancën e shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Ministrave për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm dy vite më parë nga Presidenti Ilir Meta, por nuk doli me një vendim.

rama meta cakaj

Seanca që u drejtua nga kryetarja Vitore Tusha, ndërsa relatore ishte Elsa Toska. Këshilli i Ministrave përfaqësohej në këtë seancë nga Elira Kokona, ndërsa Presidenca nga këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj, të cilët ishin në mbrojtje të krerëve të tyre institucionalë. Në fund, seanca në Gjykatën Kushtetuese përfundoi pa një vendim. Ndërkohë, sipas përfaqësueses së Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, Meta refuzoi dekretimin jashtë çdolloj kompetence.

Sipas saj, Presidenti cenoi rëndë parimet e parlamentarizmit. Për Kokonën, Meta nuk kishte tagër për të refuzuar dekretimin e Cakajt dhe Ramës nga ana tjetër nuk i mbeti asnjë hapësirë tjetër veçse të propozonte veten. “Presidenti refuzoi dekretimin jashtë çdolloj kompetence, jashtë çdo kompetence që i jep Kushtetuta dhe cenoi rëndë parimet e parlamentarizmit. Kërkesa ka si qëllim rregullimin e mosmarrëveshjes së krijuar në rastin konkret. Ekziston një konflikt midis këtyre pushteteve, i shkaktuar me sjellje të qarta të të dyja palëve. Kur Presidenti refuzon, kryen verifikime të cilat nuk janë në kompetencë të tij. Kryeministri nuk pranoi refuzimin, por propozoi veten, për të zgjidhur situatën e krijuar, pasi Presidenti nuk la asnjë hapësirë tjetër. Kryerja e verifikimeve për një afat 10-ditor dhe dhënia e një mendimi për kandidatin, janë atribute që i përkasin Kuvendit, por Presidenti i mori këto atribute duke penguar Kuvendin.

Presidenti nuk ka tagër kushtetues për të bërë vlerësim të emrit që propozohet për ministër, por as tagër për të refuzuar dekretimin. Të drejtën për të vlerësuar kandidatin e ka vetëm Kuvendi dhe s’mund ta ketë Presidenti. Presidenti ka rol formal dhe solemn. Ilir Meta i lejoi vetes të shprehet përmes një shkrese duke vepruar në një formë tjetër që parashikon Kushtetuta, sikurse është dekreti”, tha Elira Kokona.

Nga ana tjetër, këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj, deklaroi se kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese është vetëm në kontekstin politik dhe nuk ka asnjë konflikt Kuvend-Presidencë. “Nuk ka konflikt mes institucioneve. Ai nuk ekziston. Kërkesa e Ramës në këtë gjykatë është paraqitur vetëm në kontekstin politik. Meta dhe Rama u takuan me datë 4 janar dhe Presidenti e informoi atë se do ta kundërshtonte Gent Cakajn. Pas këtij takimi nuk pati asnjë reagim me shkresë as nga Kryeministri, as nga Kuvendi”, tha Dervishaj.

KONFLIKTI

Në dhjetor të 2018-ës Presidenti i Republikës, Ilir Meta, refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Kryeministri Rama kërkon interpretimin e nenit 98 të Kushtetutës, pika 1, për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave. “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në objektin e shqyrtimit të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Meta në një përgjigje të gjatë dërguar Kryeministrit të vendit, Edi Ramës, shprehet se Cakaj nuk ka besueshmëri dhe ka treguar neglizhencë gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendësministër.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *