Përplasje Borell-Kurti në Bruksel/ Shefi i diplomacisë europiane: Asociacioni i komunave u arrit me marrëveshje, të zbatohet! Kryeministri kosovar: Jo kushtetuese! I shërben vetëm…









Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

borell

Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka shtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.

Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që u arritën në Bruksel por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, e që është Asociacioni.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Borrell tha se është i vetëdijshëm që ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nuk zbatohen, por marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më e rëndësishmja.

“Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell.

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në dialogun me Serbinë me qëllim dhe përkushtim që të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme dhe të normalizohen raportet mes Prishtinës e Beogradit.

Në Bruksel, të martën është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së do të jetë shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës./ REL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.