Përplasje dhe debate mes shumicës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, ç’ndodhi në seancë plenare

Pozita dhe opozita në Kosovë janë përplasur gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të hënën (14 qershor) në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, tha se rimëkëmbje të ekonomisë pa përfundim të pandemisë, nuk mund të ketë. Këto deklarata ministri Murati i bëri gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ku u debatuar lidhur me situatën ekonomike si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Për shkak të fillimit të procesit të vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, rrjedhimisht uljes se rasteve të të infektuarve, Murati ka thënë se ka një rritje të dukshme të qarkullimit të bizneseve në taksa dhe tatime. Por, rritjen e qarkullimit të bizneseve, ai e ka ndërlidhur edhe me sigurinë e bizneseve ndaj qeverisë se re.

“Indikatorët ekonomikë janë shumë të mirë. Shohim hapje të vendeve të punës, rikthim të aktivitetit ekonomik fatmirësisht, por edhe me ardhjen e mërgatës edhe më shpenzimin e atyre mjeteve të akumuluara gjatë kohës së pandemisë për shkak të pasigurisë ekonomike dhe shëndetësore presim që këtë vit të kemi performancë më të mirë ekonomike besoj në dy dekadat e fundit”, tha Murati.

Gjatë debatit parlamentar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se të gjitha të hyrat tatimore, taksat, të ardhurat individuale dhe korporatave kanë shënuar rritje, krahasuar me dy vitet e kaluara.

“Nëse i marrim eksportet në pesë muajt që po i lëmë pas kemi pasur numrin rekord të eksporteve, 260 milionë euro i kemi eksportuar dhe kjo shifër është 33% më shumë sesa vitin 2020, e 60% më shumë sesa viti 2019”, tha Muja.

Hykmete Bajrami, deputete nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se qarkullimi i bizneseve nuk është rritur për shkak të sigurisë nga qeveria e re, por sipas saj, bizneset kanë qenë të pasigurta për shkak të mbylljes dhe masave kufizuese nga qeveria në përpjekje për parandalimin e pasojave të pandemisë.

“Sa i përket asaj se janë rritur kontributet e tatimeve, besoni se ju po na bëni nder se ne kemi qenë në Qeveri gjatë fushatës së fundit elektorale, do të thotë jemi ne ata të cilët nuk kemi ushtruar presion në bizneset private”, tha Bajrami.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur të inkasojë mbi 242 milionë euro apo rreth 57 milionë euro më shumë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se rreth 27 për qind është rritja e qarkullimit të bizneseve në këtë periudhë, apo shprehur në vlera financiare, mbi 820 milionë euro është qarkullimi i rritur në vitin 2021, në raport me periudhën e njëjtë (janar – maj) të vitit 2020.

Përmirësimi i performancës së këtyre të hyrave, dëshmon se ekonomia ka filluar të ringjallet pas pandemisë, thotë edhe Safet Gërxhaliu, profesor i ekonomisë. Ai thotë se duke parë neglizhencën institucionale për ndihmë financiare, bizneset kanë gjetur mundësi vetanake për të përmirësuar veprimtarinë e tyre.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, thuhet se rritja në ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit, parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vjetët e fundit. Këto shtete më këtë ekonomi, parashikohet ta kenë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2021, para se të arrijnë në 4.7 për qind në vitin 2022. Shkalla e prodhimit e këtij grupi në vitin 2022, parashikohet të jetë më e ulët se që është parashikuar para pandemisë./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *