Personi më i pasur i Çekisë vdes nga rrëzimi i helikopterit në Alaskë

10:41 29/03/2021

Biznesmeni më i pasur i Republikës së Çekisë, Petr Kellner, ka vdekur pas rrëzimit të një helikopteri në Alaskë, njoftoi grupi i tij financiar PPF.

“PPF njofton me trishtim të madh, se më datë 27 mars 2021, aksioneri kryesor i PPF-së, Petr Kellner vdiq tragjikisht në një aksident helikopteri në malet e Alaskës”, tha grupi përmes një deklarate të shkurtër më 29 mars.

Hetimet për aksidentin, në të cilin humbën jetën pesë persona, po vazhdojnë.

Mediat amerikane më herët raportuan se ata u humbën jetën pasi helikopteri i tyre u rrëzua gjatë një ekskursioni afër akullnajës Knik në Alaskë.

Përveç biznesmenit çek, në aksident janë vrarë Benjamin Larochaix, gjithashtu nga Republika Çeke, dy nga udhëzuesit e ekskurzionit, dhe piloti i helikopterit, raportuan mediat duke cituar zyrtarët.

Trupat e shtetit të Alaskës thanë se një person ka mbijetuar dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, por të qëndrueshme.

Kellner, 56 vjeç, filloi të bëjë pasuri në vitet 1990 përmes një fondi investimesh të cilin ai e përdori për të blerë një pjesë kontrolluese në kompaninë më të madhe të sigurimeve të vendit.

Revista Forbes ka vlerësuar se ai posedonte pasuri në vlerë 17.5 miliardë dollarë.

Në tetor të vitit 2020, miliarderi bleu Ndërmarrjet e Medias të Evropës Qendrore, një rrjet i madh transmetues evropian, në vlerë 1.1 miliard dollarë.

Pas blerjes, në Çeki u ngritën shqetësime se ky rrjet mund të humbasë pavarësinë editoriale.

Grupi PPF ka investuar në fushën e telekomunikacionit, prodhimit, medias dhe inxhinierisë në biznese kryesisht në Evropë, Azi dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 2018, PFF u bë pronari i vetëm i aseteve të telekomunikacionit “Telenor” në Serbi, Mal të ZI, Bullgari dhe Hungari.

Në mesin e vitit 2020 pasuritë e kësaj korporate arritën vlerën gati 52 miliardë dollarë.

Grupi përbëhet nga Home Credit International, huadhënësi më i madh jo bankar në botë me aktivitete të gjëra në tregjet ruse dhe kineze.

Kryeministri çek, Andrej Babis, ngushëlloi familjen Kellner, duke thënë se kjo është një “tragjedi e pabesueshme”

Vajza e Kellner, Anna Kellnerova, tha se varrimi i tij do të mbahet “vetëm me anëtarët e ngushtë të familjes”.

Grupi i tij financiar, PPF, ka dhuruar miliona aparate për frymëmarrje, maska dhe mijëra teste të koronavirusit për të ndihmuar përballjen e vendit me pandeminë e koronavirusit./REL









Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *