PESHËNGRITJE/ Shqipëria në Botëror, Veli garon e para: Futem për medalje!









E gjithë elita e peshëngritjes botërore është zhvendosur në Tashkent të Uzbekistanit, aty ku tashmë ka ngritur siparin Kampionati Botëror, i cili do të vijojë deri më 17 dhjetor. Në këtë eveniment të rëndësishëm merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga 5 sportistë: Evangjelia Veli, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj.

EVANGJELIA VELI

Kuqezinjtë e shtangës vijnë me objektiva të mëdha, ku synojnë të lënë gjurmë dhe të arrijnë zonën e medaljeve. E para që do të hapë garat për Shqipërinë është Evangjelia Veli, e cila konkurron në kategorinë e peshave 55 kg. Veli do të ngjitet në pedanë mëngjesin e nesërm me orën shqiptare.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, 30-vjeçarja tregon objektivat e saj në Botëror. Veli bën të ditur se së fundmi ka pësuar një dëmtim në këmbë, por që gjithsesi garanton se do të japë gjithçka për të synuar pse jo të përsërisë suksesin e disa muajve më parë, kur rrëmbeu bronzin në Europian.

Pas disa vitesh Shqipëria rikthehet në nivele të larta në peshëngritje edhe me vajzat. Në çfarë forme vjen Evangjelia Veli në Botëror?

Kam punuar shumë për këtë Botëror. I kam nisur përgatitjet prej kohësh. Në muajin nëntor mora pjesë edhe në Kupën e Shqipërisë, që ishte një test për mua para Botërorit. Edhe aty tregova një formë shumë të mirë edhe pse isha në fillimet e përgatitjeve për Botërorin. Jam stërvitur fort dhe gjithashtu, anën psikologjike para këtij eventi e kam mjaft të mirë. Ndërkohë, në aspektin fizik, së fundmi kam pasur një problem, një dëmtim të vogël në këmbë. Por, gjithsesi do të garoj me shpirt dhe do të jap gjithçka në këtë kampionat.

Cili është objektivi që i keni vënë vetes në këtë aktivitet?

Siç e thashë, për shkak të dëmtimit nuk do të jem në maksimumin tim dhe aty ky besonim që do të isha, duke parë edhe rezultatet e treguara në Kupë apo në stërvitje. Megjithatë, këto janë gjëra që ndodhin dhe ishte shumë afër garës, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e doktorit. Gjithsesi, synimet e mia janë të qarta, ku fillimisht dua patjetër të realizoj dygarëshin dhe pas kësaj do të tentoj vetëm për zonën e medaljeve. I kam të gjitha mundësitë për t’ia arritur dhe ajo që mund të them është se do të luftoj me shpirt. Jam stërvitur shumë për këtë garë dhe shpresoj që këmba të mos japë shumë shqetësim dhe të më lejojë që të jap më të mirën time në pedanë.

Viti 2021 ka qenë i shkëlqyer për ju, me medalje në Europian, si dhe kampione e padiskutueshme në Shqipëri…

Ky vit filloi shumë mirë për mua, por pas Europianit, prisja që gjërat do të ishin disi më ndryshe. Isha e detyruar të largohesha për shkak të punës në spital dhe për 2-3 muaj nuk pata mundësi të stërvitesha siç duhej, për ta ruajtur dhe rritur akoma më shumë nivelin. Por, për shkak të punës dhe shkollës kjo nuk mund të realizohej, pasi punoja në spital mbi 12 orë. Më pas, kur nisa përgatitjet për Botërorin gjërat shkuan shumë mirë dhe në Kupën e zhvilluar në Shqipëri pretendoja për të thyer rekordin evropian, por përsëri besoj që mund ta mbyll vitin ashtu siç e nisa, me një tjetër medalje të rëndësishme ndërkombëtare. Një, dy apo tri medalje, sa të vijnë. Për këtë do të jap gjithçka në garë.

Cili është sekreti i sukseseve tuaja?

Nuk kam ndonjë sekret të madh. Puna, besimi te vetja, te njerëzit me të cilët punon dhe te familja janë shumë të rëndësishme. Gjithashtu, të ëndërrosh atë që do të arrish dhe të besosh, e sigurisht mos ta ndalësh kurrë punën dhe të qëndrosh me këmbë në tokë. Këto janë sekretet e mia, të cilat më kanë sjellë deri këtu. Punoj me të njëjtin pasion që nga fillimet e mia në shtangë e deri më sot.

KL

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *