Pistat e zhdukjes së 10-vjeçarit Çela/ “Në Shënjestër” zbardh përgjimet nga zyrat e SHISH të trafikantit dhe mbesës, fijet që i lidhin ata dhe Fushë Kruja

pistat e zhdukjes se 10 vjecarit cela ne shenjester zbardh pergjimet nga zyrat e shish te trafikantit dhe mbeses fijet qe i lidhin ata dhe fushe kruja
pistat e zhdukjes se 10 vjecarit cela ne shenjester zbardh pergjimet nga zyrat e shish te trafikantit dhe mbeses fijet qe i lidhin ata dhe fushe kruja

Emisioni “Në Shënjestër” i është rikthyer historisë së zhdukjes pa gjurmë të 10-vjeçarit Julian Çela më shumë se një dekadë më parë. Fëmija ishte në një qendër interneti kur u thirr nga dikush dhe prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Pjesë nga dokumentari:

Më 14 Dhjetor 2012, vetëm dy javë nga zhdukja pa gjurmë e Julian Çelës, dhe dështimit të gjetjes së tij nga familjarët dhe policia, prokuroria e Tiranës hapi një procedim penal. Procedimi u hap në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga Policia e Tiranës më datë 4 dhjetor 2012. Dyshimet ishin se 10-vjeçarit i ishte hequr liria nga disa persona në bashkëpunim. “Nga materiali kallëzues i referuar nga policia rezulton se shtetasi Julian Çela, i moshës 10 vjeç, është larguar nga banesa më datë 30 Nëntor 2012, dhe nuk është kthyer më aty. Ka dyshime, se këtij shtetasi i është hequr liria në mënyrë të paligjshme nga disa persona në bashkëpunim”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Edhe pse ky procedim penal u regjistrua pa autor, Prokuroria e Tiranës, pati të dyshuarit e saj lidhur mbi personat e mundshëm që mund të kishin marrë pjesë në rrëmbimin apo zhdukjen e Julian Çelës. Dhe për këtë arsye, vendosi me urdhër të Gjykatës, të vendosë në përgjim persona të ndryshëm të dyshuar si pjesëmarrësit kryesorë në këtë sipërmarrje kriminale, ku u kërkua edhe ndihma e kompanive celulare, me qëllim kapjen e bisedave kompromentuese, që mund të çonin drejt autorëve. Përgjimet u kryen në intervale të ndryshme kohore dhe u shtrinë në persona të ndryshëm. Në interceptim u mbajtën 9 numra telefoni. “Pasi janë bërë disa përpjekje nga ana e organit procedues me qëllim gjetjen e shtetasit Julian Çela, dhe nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Dhe pasi janë kryer një sërë veprimesh hetimore si pyetje e personave që tregojnë rrethana të hetimit, sekuestrime, këqyrje etj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur me vendim në përgjim disa numra telefoni, pasi ka dyshime se autori i veprës penale mund të telefonojë këta shtetas”, thuhet në dosje.

 Nuk dihet përse dhe nëse nga këto përgjime u morën të dhëna të mjaftueshme që mund të çonin te personat e dyshuar lidhur me zhdukjen e Julian Çelës, por fakt është që Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës shtyrjen disa herë të përgjimit të këtyre numrave. Madje përgjimi, për shkak të rëndësisë që kishte ngjarja dhe përfshirja në të e një punonjësi madhor të Shërbimit Informativ, të kryhej nëpërmjet aparaturave të sofistikuara të përgjimit që ndodheshin të instaluara në godinën e Shërbimit Sekret. Në përgjim, u vendos edhe një i dyshuar për  trafik të qenieve njerëzore nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, ku klandestinët niseshin me furgonë nga Tirana për në Francë dhe nga aty përfundonin në Britaninë e Madhe. Sipas dosjes hetimore, Selim B. u përgjua për një kohë të gjatë nga organi i akuzës, edhe pse përpara hetuesve në momentin që u mor në pyetje këmbënguli se nuk kishte asnjë lidhje me krimin.

Siç rezulton nga dokumentet hetimore, ndër të tjera ai fliste edhe për çështjen, ku gjatë bisedave thoshte se familjarët duhet ta kërkojnë në Fushë-Krujë fëmijën. Dhe se ky person ndërronte shpesh numrat e telefonit në çdo dy apo tre ditë. Por çfarë lidhje kishte ky person me zhdukjen e Julianit dhe përse ai e përmendte në biseda. Dhe përse Fushë-Kruja si një zonë e mundshme ku mund të ishte fshehur 10 vjeçari. A kanë lidhje grupet kriminale në këtë zonë, apo më tej me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e tyre? Të gjitha këto pikëpyetje nuk morën përgjigje, dhe po kështu as Selim B., nuk u ndalua si një person që kishte dijeni mbi rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë.

Ndërkohë që pista e rrëmbimit për qëllime trafikimi mbeti për shumë kohë, si një nga më të mundshmet, ku grupi hetues fokusoi investigimin e tij rreth fatit të Julian Çelës. Por për t’u ndalur te Fushë-Kruja, interesant është fakti, se një tjetër person që u mbajt në vëzhgim, kishte të bënte edhe me rrethin e ngushtë të familjes Çela. Ky person që u përgjua ishte mbesa e Skënder Çelës, babait të Julian Çelës.  Mbi të cilën u ngritën dyshime të forta. Pasi në të njëjtën ditë që mendohet se u rrëmbye Julian Çela, që në këtë rast ishte kushëriri i saj i parë, mëngjesin e datës 30 Nëntor 2012, ajo u pa të udhëtonte nga Shqipëria drejt Zvicrës.

Por ajo që ngriti dyshime të forta të grupi hetues është se qelizat telefonike, tregonin që ajo fillimisht kishte ndaluar në zonën e Fushë-Krujës, aty ku Selim B. u kap në përgjim duke thënë se familjarët duhet ta kërkonin Julianin. Dyshime ranë edhe mbi të fejuarin e vajzës, i cili mohoi të kishte lidhje me zhdukjen e Julianit.

Pista e trafikimit për qëllime shfrytëzimi dhe për shkak të detyrës që mbulonte Skënder Çela, mbetën të tilla edhe në vazhdim. Edhe pse nuk u provuan asnjëherë lidhja e tyre me persona të mundshëm të përfshirë, në këtë ngjarje të veshur edhe sot nga misteri. Përse u zgjodh për t’u rrëmbyer pikërisht Julian Çela, djali i një funksionari të lartë të SHISH? Ishte një rastësi, që shumë pak mund të besohet, apo një plan i mirëmenduar që nuk kishte lidhje me punën e tij. Një hipotezë që grupi hetues nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë. Pasi vetë personat që e kryen rrëmbimin duhet të ishin në dijeni, se djali që i hoqën lirinë, ishte i një oficeri të lartë të Shërbimit Informativ.

Ndërkohë që edhe pse kanë kaluar pothuaj 11 vite nga kjo ngjarje, familja ka vendosur të mos e çregjistrojë djalin e saj nga gjendja civile, edhe pse shpresat për të ditur diçka rreth fatit të tij, apo për ta pasur sërish gjallë pranë tyre, duken të vakëta, ose pothuaj të shuara. Por ndërsa grupi hetues u investua fuqishëm në dy pistat e mësipërme, pa anashkaluar asnjërën prej tyre, madje duke i parë si të bashkëngjitura, zhvillimet e mëvonshme, sollën dinamika të reja për sa i përket hetimit. Dhe kësisoj edhe një shpresë të re, për të mësuar mbi fatin e Julianit dhe se çfarë ndodhi me të.

Edhe pse ajo që familjarët dëgjuan mbi fundin e tij ishte e tmerrshme, ku një ngjarje e ngjashme kriminale, vetëm disa muaj pas zhdukjes së Julianit, e cila në qendër kishte rrëmbimin dhe përdhunimin e një të mituri, nga një personazh me rekorde pedofilie, nxori edhe njëherë në pah në dëshminë e tij, emrin e Julian Çelës. Si personi që kishte rrëmbyer dhe më pas masakruar trupin e 10-vjeçarit, një ngjarje që shokoi edhe njëherë opinionin publik, por që fundi ishte ai që nuk prisnin familjarët e Julianit.  Ata ishin të bindur më mirë të pranonin një fund të trishtë, se sa një vuajtje pa fund. Por kjo histori vetëm sa i trazoi shpirtërisht. Pasi përfundimi e bëri edhe më të mistershëm, fatin e familjarit të tyre. Duke i veshur një tis, që vetëm sa mjegulloi edhe më shumë këtë histori.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts